Kryeqyteti i Norvegjisë ka arritur qëllimin e tij “Vision Zero”, duke shënuar vetëm një viktimë nga aksidentet rrugore gjatë vitit që sapo lamë, duke u bërë kështu qyteti më i sigurtë, përsa i përket sigurisë në rrugë.
Siç shkruan ‘The Independent’, vetëm një person ka humbur jetën në vitin 2019 në Oslo, si pasojë e aksidenteve në trafik, duke përfshirë këtu të gjitha grupmoshat.
Sipas shifrave zyrtare, për herë të parë asnjë fëmijë nën moshën 16 vjeç nuk vdiq në trafik në Norvegji gjatë 2019-ës.
Megjithatë, më shumë njerëz kanë humbur jetën në aksidente në pjesën tjetër të vendit në krahasim me një vit më parë – 110 në krahasim me 108 në 2018. Shifra të cilat megjithatë mbeten më të ulëtat në Europë.
Gazeta lokale Aftenposten raportoi se numri i dytë më i ulët i vdekjeve në trafik ishte në vitin 2017, kur tre persona vdiqën në rrugët e Oslo-s.
Në të njëjtin vit, Norvegjia regjistroi numrin më të ulët të vdekjeve në trafik në Evropë duke raportuar gjithsej 20 incidente për një milion banorë.
Shifrat nga Administrata Norvegjeze e Rrugëve Publike treguan se në 50 vitet e kaluara, numri i vdekshmërisë në rrugët e qytetit ka rënë në mënyrë drastike, nga 41 vdekje në 1975-ën.
Vendet më të rrezikshme në BE për sigurinë rrugore janë Bullgaria dhe Rumania, që kanë mesatarisht mbi 90 vdekje për një milion banorë.
Iniciativa ‘Vision Zero’ konsiston në uljen e numrit të makinave në qendrën e qytetit. Shumë pak makina lejohen të qarkullojnë në qendër të kryeqytetit norvegjez, një nismë kjo që është zbatuar rregullisht gjatë 5 viteve të fundit.
Po kështu, është ulur ndjeshëm edhe numri i parkimeve të automjeteve në qendër të Oslos. Këto vendparkime janë zëvendësuar me korsi biçikletash dhe shtim të trotuareve. Në shumë rrugë kryesore të Oslos ndalohet qarkullimi i makinave.