Një automjet i djegur është gjetur në Golaj të Hasit që dyshohet se është përdorur nga autorët e vrasjes së Guxim Gjyriqit mesnatën e kaluar në Tropojë.
Autorët i kishin bërë biznesmenit pritë jashtë lokalit të tij dhe ndërsa ishin në ecje e sipër në makinë, e qëlluan atë me breshëri automatiku.
Autorët ikën më pas në drejtim të paditur por automjeti është kapur nga kamerat e sigurisë dhe pamjet i janë shpërndarë gjithë komisariateve të Rajonit Verilindor.
Të dyshuarit mund të kenë zgjedhur të djegin automjetin e tyre për të humbur gjurmët, një skenë shumë e zakontë në atentate të tilla në vend.
Fshati Golaj ku u gjet automjeti i djegur gjendet 55 kilometër larg qytetit ku ndodhi ngjarja. Policia ndërkohë po bën krehjen e gjithë zonës për të zbuluar dhe kapur autorët ndërsa shpresohet të gjendet ndonjë provë nga automjeti i djegur. Dhjetëra persona janë shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje. Paraprakisht pistat tek të cilat dyshon policia, janë për konflikte të kohëve të fundit ose për shkak të konkurrencës.