Gjiganti suedez i mobiljeve, ‘Ikea’ ka pranuar të paguajë 46 milionë dollarë për prindërit e një fëmije, i cili u vra kur i ranë mbi trup disa sirtarë.
Jozef Dudek, 2 vjeç, u mbyt në maj 2017 kur sirtarët e kompanisë u rrëzuan në shtëpinë e familjes në Kaliforni.
Artikulli, që peshon 32 kilogramë, u tërhoq nga tregu një vit më parë për shqetësimet e sigurisë pasi tre fëmijë të tjerë u vranë në të njëjtën mënyrë.
‘Asnjë zgjidhje nuk mund të ndryshojë ngjarjet tragjike që na sollën këtu, sidomos familjet e prekura, por ne jemi mirënjohës që ky proces gjyqësor ka arritur një zgjidhje,’ tha një zëdhënëse e kompanisë ‘Ikea’.
‘Ne mbetemi të përkushtuar për të punuar, për të adresuar këtë çështje shumë të rëndësishme të sigurisë në shtëpi,’ shtoi ajo.
Në një deklaratë, prindërit e fëmijës, Joleen dhe Craig Dudek, thanë se ata ishin të dërrmuar nga humbja e djalit të tyre.
‘Asnjëherë nuk kemi menduar se një dy vjeçar mund të shkaktojë rrëzimin e një rafti 76 centimetra të lartë. Vetëm më vonë mësuam se rafti ishte i paqëndrueshëm nga dizajni. Ne po tregojmë historinë tonë sepse nuk duam që kjo të ndodhë me një familje tjetër’, shtoi çifti.