Më shumë se 60,000 njerëz janë zhdukur në Meksikë që nga fillimi i luftës kundër drogës në vitin 2006, sipas autoriteteve.
Numri është shumë më i lartë në krahasim me vlerësimet e mëparshme – rreth 40,000. Për më tepër, mbi 31,000 njerëz u vranë në vend vetëm vitin e kaluar.
BBC shkruan se ndërsa kartelet e drogës dhe grupet e krimit të organizuar janë autorët kryesorë, forcat e sigurisë gjithashtu fajësohen për vdekjet dhe zhdukjet e njerëzve.
Rreth 53% e atyre që u zhdukën ishin midis moshave 15 dhe 35 vjeç, dhe 74% prej tyre ishin burra.
Sipas autoriteteve, 61.637 njerëz janë zhdukur që kur filluan regjistrimet në vitin 1964. Megjithatë, shumica dërrmuese u regjistrua që nga viti 2006, kjo është kur Presidenti i atëhershëm Felipe Calderón filloi një sulm ushtarak mbi tregtinë e drogës.
Problemi ka vazhduar që prej asaj kohe, edhe pas dy ndryshimeve në administratë.
“Vitin e kaluar, më shumë se 5,000 njerëz u zhdukën”– tha Karla Quintana, shefe e Komisionit Kombëtar të Kërkimeve të Meksikës.
“Këto janë të dhëna për tmerrin, dhe prapa tyre ka histori me dhimbje të mëdha për familjet”, vijoi më tej zonja Quintana, organizata e së cilës bashkërendon përpjekjen për të gjetur të zhdukurit.
Meksika po përjeton një nivel të zhdukjeve që tejkalon disa nga rekordet më të këqija të Amerikës Latine.