Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja i refuzon vizën ministrit të jashtëm iranian


Shtetet e Bashkuara nuk i kanë dhënë vizë Ministrit të Jashtëm të Iranit, Mohammad Javad Zarif duke e penduar rrjedhimisht që të marrë pjesë në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork të enjten.

Sipas Reuters, lajmi u konfirmua nga një zyrtar amerikan, i cili foli në kushte anonimiteti.

Sipas marrëveshjes të vitit 1947 të Kombeve të Bashkuara, SHBA-së në përgjithësi i kërkohet të lejojë hyrjen për diplomatët e huaj. Por Uashingtoni thotë se mund të mohojë vizat për arsye të “sigurisë, terrorizmit dhe politikës së jashtme”.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk pranoi të jepte një koment të menjëhershëm. Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara tha: “Ne kemi parë raportet e mediave, por nuk kemi marrë ndonjë komunikim zyrtar as nga SHBA dhe as nga OKB sa i përket vizës së ministrit të Jashtëm Zarif.”

Megjithatë këtë e ka konfirmuar vetë Javad Zarif. Siç shkruan Al Jazeera, ai tha sot nga Teherani: “Ata kanë frikë se dikush vjen në SHBA dhe zbulon realitetet”.

Zarif dëshironte të merrte pjesë në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të enjten me temën e mbrojtjes së Kartës së Kombeve të Bashkuara. Takimi dhe udhëtimi i Zarifit ishin planifikuar përpara ndezjes së tensioneve midis Uashingtonit dhe Teheranit, mbi vrasjen e gjeneralit Qassem Soleimani.

Takimi do t’i jepte Zarifit një vëmendje globale për të kritikuar publikisht Shtetet e Bashkuara për vrasjen e Soleimani-t.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *