Vendosni fjalën kyçe....

Sindikata i kthen përgjigje “Albchrome”-it: Lejoni zbatimin e ligjit ose ju sfidojmë me votime në shesh


Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) i ka kthyer përgjigje kompanisë minerare “Albrchrome” lidhur me raportin e Inspektoratit të Punës për pushimet nga puna të drejtuesve të sindikatës.

Në përgjigjen e “SMBB” thuhet se raporti i Inspektoratit të Punës është i njëanshëm dhe i paplotë pasi sipas tyre shkarkimet janë të paligjshme ndryshe nga sa pretendon kompania.

Ky institucion duhet të hetonte me imtësi shkeljet e Kodit të Punës, kontratave të punës dhe diskriminimin për shkak të organizimit sindikal prej kompanisë Albchrome. Në vend që të zbatonte ligjin, Inspektorati ka zgjedhur të raportojë qëndrimet e paligjshme dhe të padrejta të kompanisë Albchrome. Inspektorati Shtetëror i Punës, që duhet të mbronte punëtorët, është shndërruar në Inspektorat Shtetëror të Oligarkisë. Sigurisht që nuk do të qëndrojmë duarkryq ndaj këtij maskarallëku. Përveç rrugës gjyqësore ndaj kompanisë Albchrome, do ta ankimojmë edhe raportin skandaloz të Inspektoratit”-thuhet ndër të tjera në përgjigjen nga Sindikata e Minatorëve.

Më tej, SMBB shprehet se në anëtarësinë e saj janë rreth 320 anëtarë duke e bërë atë sindikatën më të madhe duke i kërkuar sindikatës së vjetër të distancohet nga mbrojtja e kompanisë.

Prej javësh Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është sindikata më e madhe në minierën e Albchrome në Bulqizë, me më shumë se 320 anëtarë. Sindikata jonë është ajo së cilës i takon negocimi i kontratës së re kolektive. Manovrat që bën kompania për të mbajtur kukullën e saj, vetëm sa i ulin edhe më tej imazhin dhe i rëndojnë përgjegjësinë ligjore të cilës nuk mundet që t’i shmanget pafundësisht”-thuhet në deklaratë.

Madje më tutje në përgjigje “SMBB” kërkon që nëpërmjet votimit të bëhet zgjedhje e sindikatës përfaqësuese të minatorëve.

Nëse vërtetë mendojnë se Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës nuk i ka numrat për të përfaqësuar minatorët, ne i sfidojmë që të pranojnë zgjedhje e sindikatës përfaqësuese përmes kutisë së votimit në pjacale”-deklaron SMBB.

Reagimi i plotë:

PËRGJIGJE KOMPANISË ALBCHROME DHE SEKRETARËVE TË SAJ, KOL NIKOLLËS E TAF KOLECIT: OSE LEJONI ZBATIMIN E LIGJIT, OSE NE JU SFIDOJMË QË TË VENDOSNI KUTINË E VOTIMIT NË PJACALE

Ditën e hënë, 6 janar 2020, kompania Albchrome ka mbajtur një qëndrim publik të mbushur plot me të pavërteta dhe akuza të pabaza ndaj sindikatës sonë. Qëndrimi në fjalë lidhej me raportin e Inspektoratit të Punës për ankesën e bërë nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, për pushimet e paligjshme të drejtuesve tanë, fillimisht të kryetarit Elton Debreshi dhe përgjegjësit për financat Beqir Duriçi.

Me keqardhje na duhet të themi se raporti i Inspektoratit të Punës është gjysmak, i njëanshëm dhe skandaloz. Në takimet e shpeshta që kemi pasur me inspektorët rajonalë të punës, që prej fillimit e kanë pranuar se Albchrome-i ka shkelur Kodin e Punës dhe pushimet nga puna kanë qenë të padrejta. Situata ka ndryshuar me futjen në lojë të Inspektoratit Qendror, të cilin me sa duket ia kanë shtrënguar fort kapistallin.

Ky institucion duhet të hetonte me imtësi shkeljet e Kodit të Punës, kontratave të punës dhe diskriminimin për shkak të organizimit sindikal prej kompanisë Albchrome. Në vend që të zbatonte ligjin, Inspektorati ka zgjedhur të raportojë qëndrimet e paligjshme dhe të padrejta të kompanisë Albchrome. Inspektorati Shtetëror i Punës, që duhet të mbronte punëtorët, është shndërruar në Inspektorat Shtetëror të Oligarkisë. Sigurisht që nuk do të qëndrojmë duarkryq ndaj këtij maskarallëku. Përveç rrugës gjyqësore ndaj kompanisë Albchrome, do ta ankimojmë edhe raportin skandaloz të Inspektoratit.

Në reagimin e djeshëm të Albchrome-it, është qesharak fakti që kjo kompani i kërkon llogari Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës se përse reagon në minierën e Albchrome dhe jo në minierat e tjera. Me sa duket, duke qenë se e përdorin sindikatën e vjetër si ‘‘lolo’’, mendojnë se kanë të drejtën ta bëjnë këtë me çdo sindikatë. Sindikata jonë do të veprojë aty ku punëtorët kanë pakënaqësi dhe kanë vullnetin për të reaguar, anekënd Shqipërisë, ama jo ku të ketë qejf pronari.

Është shqetësues fakti sesi një kompani e tillë, që trumbeton me të madhe të jetë ndër më seriozet në vend, të bierë në nivelet e ulëta të shpifjeve dhe trillimeve. Madje duke shkuar edhe në kërcënime, që nuk na trembin. Përkundër akuzave banale se greva jonë e para një muaji ka shkelur ligjet në fuqi, jo më larg sesa dje na ka ardhur vendimi i Prokurorisë së Dibrës, sipas të cilit minatorët nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore dhe nuk do të ndiqen penalisht!

Akuzë edhe më qesharake është ajo për gjasme ‘‘falsifikim dokumentacioni’’. Falsifikimet nuk i bëjnë ata që përfaqësojnë punëtorët dhe ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Shkeljet, padrejtësitë dhe falsifikimet i bëjnë ata që shtypin e shfrytëzojnë përditë punëtorët.

Me këtë rast, i bëjmë thirrje kompanisë Albchrome që të heqë dorë nga presionet ndaj minatorëve që të anëtarësohen në sindikatën e vjetër, kukullën e kompanisë. Bazuar në ligjet në fuqi, çdokush që bën një shkelje të tillë do të denoncohet dhe do të mbajë përgjegjësi publike e ligjore.

Si të mos mjaftonin shpifjet e ulëta të kompanisë, ato janë ndjekur nga broçkullat e zakonshme të Kol Nikollës dhe Taf Kolecit, të cilët kanë nxituar të shpërndajnë qëndrimin e Albchrome. Njësoj si të ishin sekretarë të saj dhe jo përfaqësues të minatorëve. Siç është e vërteta, në fakt.

Këta agallarë që nuk kanë asnjë lidhje me minatorët e Bulqizës që punojnë në kompaninë Albchrome, përveç bashkëpunimit në shtypjen e punëtorëve, nuk munden që ta pranojnë ekzistencën e një sindikate të re dhe serioze. Prishja e pazareve dhe humbja e milionave që marrin në kurriz të minatorëve, nuk mund të pranohet lehtë prej tyre.

Megjithatë, sindikata e vjetër është e marrë fund.

Prej javësh Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është sindikata më e madhe në minierën e Albchrome në Bulqizë, me më shumë se 320 anëtarë. Sindikata jonë është ajo së cilës i takon negocimi i kontratës së re kolektive. Manovrat që bën kompania për të mbajtur kukullën e saj, vetëm sa i ulin edhe më tej imazhin dhe i rëndojnë përgjegjësinë ligjore të cilës nuk mundet që t’i shmanget pafundësisht.

Si përfundim i bëjmë një apel publik si kompanisë Albchrome, si sindikatës të vjetruar, të cilat qartazi e kanë të humbur përpjekjen për të arritur shumicën e anëtarësisë dhe kanë humbur përfundimisht besimin e minatorëve të Bulqizës:

Nëse vërtetë mendojnë se Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës nuk i ka numrat për të përfaqësuar minatorët, NE I SFIDOJMË QË TË PRANOJNË ZGJEDHJEN E SINDIKATËS PËRFAQËSUESE PËRMES KUTISË SË VOTIMIT NË PJACALE!
Nëse kanë një minimum dinjiteti, serioziteti dhe respekti ndaj parimeve të demokracisë, LE TË MUNDËSOJNË ZGJEDHJEN E LIRË PREJ VETË MINATORËVE!

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *