Organizata e UNESCO-s ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara dhe Irani të respektojnë konventat që detyrojnë shtetet të mbrojnë vendet kulturore, raporton Al Jazeera.
Ky reagim vjen pas kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump se do të shënjestrojë trashëgiminë kulturore të Iranit.
Gjatë një takimi me ambasadorin iranian të hënën, drejtorja e Përgjithshme Audrey Azoulay tha se duhet të respektohen dispozitat e konventave të 1954 dhe 1972, të ratifikuara nga SHBA dhe Irani.
Konventat u kërkojnë shteteve nënshkruese të mos ndërmarrin ndonjë masë të qëllimshme që mund të dëmtojë trashëgiminë kulturore dhe natyrore në territorin e shteteve të tjera palë në konventa.
Azoulay theksoi se komuniteti ndërkombëtar ka për detyrë të mbrojë dhe ruajë për gjeneratat e ardhshme “universalitetin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore si vektorë paqeje dhe dialogu midis popujve”.
Trump të dielën i qëndroi kërcënimit për të shkuar pas vendeve kulturore iraniane, nëse Irani godet përsëri për t’u hakmarrë për vrasjen e një prej komandantëve të lartë ushtarak, Qassem Soleimani.
“Ata lejohen të përdorin bomba buzë rrugës dhe të hedhin në erë njerëzit tanë. Dhe ne nuk na lejohet të prekim vendin e tyre kulturor? Nuk funksionon kështu”- tha Trump në një postim në ‘Twitter’.
Si përgjigje, Ministri i Jashtëm i Iranit Mohammad Javad Zarif tha se një veprim i tillë do të përbënte një “krim lufte”.