Irani ka sulmuar dy baza ajrore që strehojnë trupat amerikane në Irak, me më shumë se 10 raketa balistike sipas Washington Post.
Lajmi është konfirmuar nga Departamenti i Mbrojtjes në SHBA si dhe nga pala iraniane.
TV shtetëror iranian thotë se sulmi është një hakmarrje për vrasjen e komandantit të lartë të vendit Qasem Soleimani, me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump.
Pentagoni thotë se dy site u sulmuan, në Irbil dhe Al Asad. Ende është e paqartë nëse ka pasur viktima.
“Presidenti është informuar dhe po monitoron nga afër situatën dhe po këshillohet me ekipin e tij kombëtar të sigurisë”– tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham.
Garda Revolucionare e Iranit tha se sulmi ishte si hakmarrje për vdekjen e Soleimanit ndërsa paralajmëroi se të tjera baza amerikane mund të sulmohen.
“Ne po paralajmërojmë të gjithë aleatët amerikanë, të cilët i dhanë bazat e tyre ushtrisë së saj terroriste, se çdo territor që është pika fillestare e veprimeve agresive kundër Iranit do të jetë në shënjestër”– tha Garda Revolucionare e Iranit përmes një deklarate.
Ministri i Jashtëm iranian Javad Zarif më vonë pretendoi se sulmi ishte për vetëmbrojtje dhe mohoi të kërkonte të përshkallëzonte situatën në luftë.
🔴 🇮🇷 JUST IN 🇮🇷 🔴
PRESS TV EXCLUSIVE
First #IRGC footage emerges showing #Iran missiles targeting #AinAlAssad airbase in #Iraq in response to General #Soleimani‘s assassination.#GeneralSoleimani #DecisiveResponse #SoleimaniAssassination pic.twitter.com/vpXA0HvLXG
— Press TV (@PressTV) January 7, 2020
Presidenti Trump reagoi menjëherë pas kësaj, duke insistuar se “gjithçka është mirë”, ndërsa shtoi se ata ende nuk kishin vlerësuar viktimat e mundshme.
Çfarë ndodhi?
Dy baza irakiane që strehojnë trupat amerikane dhe të koalicionit u sulmuan nga Irani- një në Al Asad dhe një në Irbil.
BBC shkruan se Teherani hodhi më shumë se një duzinë raketa balistike nga territoret iraniane rreth orës 1:30 të mëngjesit, vetëm disa orë pas varrosjes së gjeneralit Soleimani.
Baza ajrore në Al-Asad u godit nga të paktën gjashtë raketa. Më herët gjatë ditës së djeshme, presidenti Trump tha se një tërheqje e trupave amerikane nga Iraku do të ishte gjëja më e keqe për vendin.
SHBA ka rreth 5000 trupa në Irak.