Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj, nuk ka vonuar të përgjigjet ndaj akuzave të Partisë Demokratike se ai është objekt i ligjit të dekriminalizimit.
Në një prononcim për mediet, Ismailaj tha se ai nuk është ndaluar asnjëherë nga policia greke dhe se është i hapur për çdo verifikim.
“Nuk kam asnjë lloj dijenie. Jam i hapur për çdo lloj verifikimi të mundshëm. Unë punoj si kryetar, kam dorëzuar formularin e dekriminializimit. Nuk jam ndaluar nga policia greke, në asnjë rast”, tha Ismailaj.
Ndërkohë lidhur me vizitën e tij në Greqi dy javë më parë, Ismailaj tha se kishte vizituar të motrën për arsye familjare.
“Unë kam motrën në Greqi, ka pasur sebepet e veta familjare, ky është shkaku”, u shpreh Ismailaj.
Në momentin kur u pyet nga gazetarët, Ismailaj po vizitonte familjen e 51-vjeçares Drita Saliaj, e cila u gjet një ditë më parë e pajetë në rezervuar.