Dy persona janë proceduar penalisht në Kakavijë, pasi njëri u kap teksa lëvizte me makinë luksoze të vjedhur ndërsa tjetrit iu gjetën 70900 euro të padeklaruara.
I pari është një 21-vjeçar nga Berati, i cili u kp me një mjet tip “Renault”.
“Në vijim të zbatimit të detyrave të përcaktuara në planin e masave për shtimin e kontrolleve në pikat doganore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve te imtësishme të kryera nga Policia Kufitare, në bashkëpunim me shërbimet doganore dhe Frontex-in, në dalje të RSH-së është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të markës Renault, me drejtues shtetasin shqiptar E. X., 21 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Greqi. Mjeti i këtij shtetasi rezultoi me ndërhyrje mekanike në numrin e shasisë.”– thuhet në njoftimin e policisë.
I dyti është identifikuar si shtetasi Vasil Gjika, i cili po tentonte të kalonte kufirin me para të padeklaruara. Nuk dihet nëse Gjika i ka fituar paratë në sajë të ndonjë aktiviteti të jashtëligjshëm, ndërsa po kryhen verifikimet e rastit nga ana e policisë.
“Po në vijim të kontrolleve u kap shtetasi me inicialet V. G., 49 vjeç, lindur në Sarandë dhe banues në Greqi, të cilit gjatë kontrollit në automjet iu gjet një sasi prej 70900 eurosh, të cilat i kishte fshehur në automjet, me qëllim shmangien e kontrollit.
Në cilësinë e provës materiale u bllokuan 1 automjet dhe një sasi prej 70900 eurosh.”– thuhet në njoftim.
Veprimet e para hetimore për këto raste u kryen nga DVP Gjirokastër, për veprat penale “Trafikim i mjeteve motorike” dhe “Mosdeklarim i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe materialet në ngarkim të dy shtetasve i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.