Vendosni fjalën kyçe....

Ç’po bëhet me premtimin e Shahinit pas tërmetit? Autobusët e shtetit nuk po i transportojnë më fëmijët në shkolla (VIDEO)


Pas tërmetit të 26 nëntorit, kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Arsimit Besa Shahini, patën deklaruar se shteti do t’u mundësonte fëmijëve në shkollat e dëmtuara të fshatit (si në rastin e shkollës së Bubqit, apo Bilajit) do t’u mundësonte falas transportin për në shkolla të tjera.

Kjo gjë është zbatuar deri të hënën e 6 janarit që kur ka rinisur mësimi. Por jo më tej.

Prindër të shqetësuar nga fshati Bilaj e Murqinë të njësisë administrative në Bubq, ankohen në “Hashtag.al” se po hasin shumë peripeci me transportin e fëmijëve, që duhet të ndjekin mësimin pasdite në Fushë-Krujë.

Autobusët e mundësuar nga bashkia nuk janë paraqitur prej dy ditësh për të marrë nxënësit në qendrën e fshatit. Të hënën shoferët e autobusëve janë paraqitur duke i kërkuar fëmijëve para për transportin, por duke qenë se këta nuk kanë paguar nuk janë paraqitur më.

Sipas disa mësuesve, shoferët e autobusëve nuk kanë kontratë me bashkinë Krujë dhe kjo është bërë shkak që ata të ndërpresin shërbimin. Megjithatë Hashtag.al thekson se ky informacion nuk është i konfirmuar në burime zyrtare.

Ditën e djeshme mësimi për nxënësit e fshatrave të njësisë administrative në Bubq është pezulluar, ndërsa sot prindërit dhe mësuesit janë detyruar të pajtojnë vetë furgona në këmbim të parave. Siç shihet nga videoja e mëposhtme, në qendrën e fshatit është krijuar një rrëmujë për shkak se fëmijët kanë mbetur në rrugë ndërsa presin dy furgonat e porositur që po i transportojnë ata grupe-grupe.

Ende nuk ka një reagim nga Ministria e Arsimit lidhur me këtë problem. Pas tërmetit mësimi rinisi më 9 dhjetor dhe për shkollat e dëmtuara në fshatrat Bubq e Bilaj, ministria vendosi që të zhvendosen në Fushë-Krujë dhe mësimi të zhvillohej pasdite. Siç deklaroi Shahini para kamerave, transporti i nxënësve do mundësohej falas./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *