Mbretëresha Elizabeth II i dha disa ditë familjes mbretërore për të rënë dakord për një zgjidhje përsa i përket tërheqjes së kërkuar nga princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan, njoftuar pa u konsultuar me mbretëreshën, sipas disa mediave britanike.
Ekipet e mbretëreshës dhe të djalit të tij Charles dhe të djemve të këtij të fundit, William dhe Harry janë udhëzuar të punojnë me një ritëm të shpejtë për të gjetur zgjidhje”, sipas një burimi nga pallati Buckingham, cituar nga “Sky News” dhe agjencia “Press association”.
“Një rezultat pritet brenda disa ditëve”, sipas këtij burimi.
Princi Harry dhe bashkëshortja e tij Meghan, dukesha e Suseksit, njoftuan se po tërhiqen nga detyrat e tyre mbretërore dhe po punojnë për t’u bërë financiarisht të pavarur e se do ta ndajnë kohën e tyre midis Britanisë së Madhe dhe Amerikës së Veriut.
“Pas shumë muajsh reflektimi dhe diskutimesh të brendshme, këtë vit kemi zgjedhur të bëjmë një ndryshim, duke filluar me krijimin e një roli të ri progresiv brenda këtij institucioni,” shkroi çifti në llogarinë e tyre zyrtare në Instagram.
“Ne synojmë të tërhiqemi nga pozicioni si anëtarë të lartë të familjes mbretërore dhe të punojmë për t’u bërë financiarisht të pavarur duke vazhduar të mbështesim plotësisht madhërinë e saj, Mbretëreshën”, shtuan ata.