Vendosni fjalën kyçe....

Basha publikon videon nga Emergjencat Italiane: Qeveria e ardhshme nuk do të jetë e papërgatitur


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar një video nga Italia ku ka vizituar Qendrën Operacionale të Emergjencave Civile në rajonin Friuli-Venezia-Giulia.

Ai thotë se ka rënë dakort me Qendrën Operative të Mbrojtjes Civile italiane që eksperienca e tyre të transferohet edhe në Shqipëri dhe të shërbejë për trajnimin e emergjencave civile shqiptare.

“Ne sapo kemi përfunduar një prezantim këtu në Qendrën Operative të Mbrojtjes Civile ku janë shpjeguar në detaje kapacitetet e kësaj qendre për përgjigjen e menjëhershme në nevojë të viktimave të fatkeqësive natyrore; nga tërmetet tek përmbytjet dhe fatkeqësi të tjera natyrore, vlerësimin e dëmeve pa vonesë, rikthimin e banorëve në objektet e parrezikuara dhe nisjen e punës për rikuperimin e dëmeve.

Është me të vërtetë një përvojë mbresëlënëse.

Ia vlen të theksoj që përvoja e kësaj qendre operative të Mbrojtjes Civile, siç quhet në Itali, e emergjencave civile është një nga 20 qendrat, por është ajo që konsiderohet më e suksesshmja dhe në fakt përvojat e saj të suksesshme kanë shërbyer si manual për të gjithë emergjencat civile të Italisë.

Lajmi që dua të ndaj sot për ju të dashur miq se me autoritetet e rajonit Friuli-Venezia-Giulia dhe me drejtuesit e kësaj Qendre Operative të Mbrojtjes Civile, kemi rënë dakord që kjo përvojë e jashtëzakonshme, në nivel botëror do të thoja, jo vetëm në nivel europian, do të shërbejë për t’u transferuar dhe për të trajnuar emergjencat civile shqiptare.”– thotë Basha.

Kryedemokrati zotohet se qeveria e ardhshme me PD-në nuk do të jetë e papërgatitur përballë tërmeteve, përmbytjeve apo fatkeqësive të tjera natyrore që godasin vendin.

Basha falenderon autoritetet italiane, që pavarësisht pozicionit të tij si kryetar i opozitës kanë treguar gatishmëri për të ndarë me të përvojat e tyre.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *