Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Paskuqan, ku një grua është dhunuar për vdekje dhe i dyshuar për krimin është kunati i saj.
Sipas policisë, Eredet Çapoku e ka qëlluar me shkop druri kunatën e tij dhe Enkeleda Çapoku, e cila ka ndërruar jetë prej plagëve të rënda.
Sipas uniformave blu, viktima kishte marrë urdhër mbrojtjeje që prej 6 muajsh, kur e kishte denoncuar kunatin në komisariatin e Kamzës.
“Më datë 09.01.2020 rreth orës orës 23:40, në Paskuqan shtetasi E. Ç.,34 vjeç, për motive ende të paqarta ka goditur për vdekje me mjet të fort (shkop druri) kunatën e tij shtetasen E. Ç.,30 vjeçe, e cila si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë. Policia ka shkuar mënjëherë në vendngjarje, dhe ka shpallur në kërkim policor shtetasin E. Ç, i cili pas ngjarjes është larguar Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorit.”- thuhet në njoftimin e policisë.
Eredet Çapoku njihet si një person problematik në zonën e Paskuqanit dhe si përdorues i alkoolit, ndërsa ishte përfshirë shpesh në zënka me persona të ndryshëm.
Sipas “BalkanWeb” deri dy vite më parë viktima dhe i dyshuari jetonin në një shtëpi, por për shkak të konflikteve që kishin lindur, ata ishin ndarë dhe jetonin me qira, afër njëri-tjetrit. Gruaja jetonte me vajzën e saj 18-vjeçare, ndërsa bashkëshorti i saj ndodhet në burg, i dënuar me 10 vite për drogë.
Mirëpo sipas dëshmive, kunati e përndiqte 30-vjeçaren, duke e parë se kur ajo shkonte në punë, pasi punonte në një fabrikë këpucësh bashkë me vajzën, dhe duke i bërë fotografi në çdo moment. Më pas fotot ia dërgonte vëllait të tij në burg.
Konfliktet mes tyre u përshkallëzuan mbrëmjen e kaluar, kur Çapoku dyshohet se e dhunoi të kunatën në sy të vajzës dhe nënës së saj. Edhe këto dy të fundit, dyshohet se janë dhunuar më parë nga personi.