Nëse ju pëlqen poezia, atëhere profili në “Instagram” i të riut Leonor Berisha është i duhuri për ju. Një djalosh simpatik dhe mjaft i talentuar, por sikurse tregon gazetarja Sonila Meço fati e donte që të ishte me aftësi ndryshe.
Pavarësisht disa nevojave të tij të veçanta, Leonori ka aftësi dhe një talent që jo të gjithë e kanë. Ai ka një pasion, të shkruajë poezi dhe tekste këngësh. Leonori e ka kthyer profilin e tij në “Instagram” në një kënd të meditimi e pasurimi shpirtëror, derisa të vijë dhe një libër real i printuar me autorësinë e tij.
Gazetarja Sonila Meço e cila e konsideron Leonorin “mikun e saj virtual” i fton të gjithë ta ndjekin këtë djalosh kaq të talentuar në profilin e tij në rrjetin social të “Instagram”-it..
“Leonori ka shumë dëshirë të shkruajë poezi, tekste këngësh, thënie…ka edhe një dëshirë më të madhe, të botojë libra. Por nuk i ka mundësitë. Ne e dimë që meritokracia nuk është aq shpërblyese në jetë. Por sërish me mekanizmat e kompensimit fati e desh, që të gjithë të kemi në duar mjet botimi, rrjetet sociale. Instagrami është “libërthi” i Leonorit deri në mbërritjen e botimit në fletë me aromë libri real. Gjer atëherë më ndihmoni ta ndihmoj Leonorin, duke i bërë “follow” në profilin e tij @_leonorberisha. Do të gjeni një kënd meditimi e pasurimi shpirtëror, por edhe do t’i jepni jetë endrrës së një njeriu kufizuar në disa aftësi, por bekuar nga një botë e pakufijshme ndjeshmërie.”– shkruan Meço.
E vërtet, nëse futesh në profilin e tij @_leonorberisha arrin të prekësh botën shpirtërore të Leonorit. Më poshtë mund të lexoni edhe një poezi të tij.
Leonor Berisha ka lindur dhe jeton në Prizren.
Nëse mendoni se Leonori ka talentin e vetëm të tij poezinë e keni gabim. Siç tregohet në profilin e tij në rrjetin tjetër social, në “Facebook”, Leonori është diplomuar në Fakultetin e Shkencave juridike në Prishtinë dhe ka qenë mjaft aktiv në jetën sociale dhe politike në Kosovë. Si dhe është edhe kryetar i studentëve me nevoja të veçanta./Hashtag.al