Sipas shumicës, presidenti Meta ka bërë 8 shkelje kushtetuese, për të cilat duhet shkarkuar.
Shumica pretendon se kreu i shtetit ka bërë 4 shkelje në rastin e Arta Vorpsit dhe 4 të tjera në emërimin e Marsida Xhaferllarit. A2 ka publikuar pyetjet që i janë nisur Komisionit të Venecias më 30 dhjetor 2019.
Çështjet drejtuar ekspertëve të Venecias lidhur me rastin e Arta Vorpsit janë:
- Presidenti ka cënuar të drejtat e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën
- Ka shkelur detyrimin kushtetues për të realizuar betimin e një gjyqtari kushtetues
- Ka cënuar funksionalitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese
- Ka cënuar të drejtat e subjekteve për një proces të rregullt kushtetues brenda afateve të arsyeshme
Lidhur me rastin e emërimit të Marsida Xhaferllarit, shumica ngre 4 çështje të tjera ku pretendon se presidenti Meta ka shkelur Kushtetutën.
- Ka dekretuar një gjyqtar kushtetues në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ligjin
- Në mungesë të kompetencës për të emëruar gjyqtarin kushtetues, Presidenti në mënyrë të kundërligjshme ka ndërhyrë në proces kushtetues
- Ka ushtruar kompetencat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi duke i veshur vetes atribute të organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë
- Ka cënuar të drejtën e subjekteve për një proces të rregullt gjykimi kushtetues në kushtet kur do të gjykohen nga një gjyqtar kushtetues me mandat të paligjshëm
*(Foto Credit A2)