Çmimet e paketave të cigareve u rritën me 10 lekë në fillim të janarit. Burimet nga tregu i furnizimit me shumicë pohuan se, shkak u bë rritja e akcizës me 5 lekë në fillim të këtij viti e parashikuar në kalendarin e akcizës që në paketën fiskale të vitit 2017.
Përllogaritja e TVSH-së mbi rritjen 5 lekë e kanë rritur çmimin fundor të një pakete me 10 lekë.
Në paketën fiskale të vitit 2017 qeveria miratoi një kalendar për rritjen e akcizës vit pas vit deri më 2021.
Sipas këtij kalendari akciza në vitin 2020 arriti në 6250 lekë për 1000 copë cigare nga 6000 lekë që ishte vitin e kaluar. Sipas kalendarit që tashmë është në fuqi vitin që vjen akciza për 1000 copë cigare shkon në 6500 lekë.
Rritja e akcizës për cigaret është një nga politikat e përdorura për frenimin dhe uljen e konsumit të cigareve nga popullata si produkt me efekte negative në shëndet duke rritur çmimin e shitjes së tyre.
Mirëpo në rastin e Shqipërisë rritja e akcizës shoqërohet me rritje të kontrabandës, siç edhe ka ndodhur që kur kjo politike e taksave me rritje ka nisur të aplikohet.
Ministria e Financave ka sqaruar se me qëllim përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e BE 2011/64, e cila përcakton nivelin minimal të akcizës për cigaret të paktën 90 euro për 1000 cigare, riskedulimi i rritjes siguron një politikë të qëndrueshme taksimi sipas standardeve të BE-së.
Rriten edhe çmimet e frutave e perimeve
Viti i ri 2020 nisi me rritje çmimesh për një sërë artikujsh, duke devijuar nga tradita e krijuar në këtë periudhe kur çmimet rriten gjatë muajit dhjetor. Në ditët e parë të janarit furnitorët e shumicës kanë përditësuar çmimet me rritje për të gjithë nënproduktet e mishit të përpunuar, cigareve dhe frutave dhe perimeve.
Teksa çmimet më të larta të cigareve dhe sallamerisë po vijnë për shkak të taksave më të larta dhe rritjes së kostove nga importi, çmimet e frutave dhe perimeve po rriten për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Në ditët e para të janarit çmimet e mandarinave u dyfishuan nga 70 lekë në 13 lekë për kilogram. Tregtarët e lidhen këtë ndryshim me përfundimin e prodhimin vendas, teksa pohuan se tashmë në shumicën e artikujve të frutave dhe perimeve furnizimet vijnë nga importi, kryesisht Greqia dhe Italia.
VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al