Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të paketës “anti-shpifje”.
Sipas Presidentit, kjo paketë shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik dhe bie në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese.
“Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik. Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit. Në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.”- shpjegon Meta.
“Paketa Antishpifje” është kundërshtuar shumë nga komuniteti i gazetarëve në Shqipëri, si dhe nga mjaft organizata të huaja. Kryesisht sepse i jep AMA-s kompetenca gjyqësore, në vendosjen e gjobave për mediat online. Në këtë paketë përfshihet dy projektligje për median, të cilat u votuan në seancën e fundit parlamentare për 2019-ën.Me 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim Kuvendi kaloi ligjin me disa amendamente të minutave të fundit nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ligji i ndryshuar rriti gjobat ndaj portaleve, nga 400 mijë lekë, në 600 mijë lekë, ndërkohë që për televizionet vlera mbeti e pandryeshuar, 1 milionë lekë.
Por kur portali nuk zbaton vendimet e Këshillit të Ankesave (në varësi të AMA-s) dhe nuk publikon përgënjeshtrimet, gjoba shkon deri në 800 mijë lekë. Dhe kur kapet në shkelje më shumë se 3 herë brenda vitit, portali gjobitet akoma më shumë, duke shtuar 50% të vlerës së gjobës.
Në kohën kur dy projektligjet po kalonin në Kuvend, gazetarët ishin mbledhur në protestë. Ata kanë paralajmëruar se do ta çojnë në ligjin në Gjykatën e Strasburgut./Hashtag.al