Vendosni fjalën kyçe....

Pronari britanik shpërblen punonjësit që nuk pinë duhan, nxit edhe të tjerët ta lënë


Pronari i një kompanie trajnimi i ka stimuluar punonjësit e tij jo duhanpirës, duke u dhënë atyre katër ditë shtesë pushimi në vit. Drejtori menaxhues Don Bryden, tha se ai vuri re se punonjësit e tij që pinin duhan mund të harxhonin deri në një orë çdo ditë duke pirë cigare. Ndërkohë, jo-duhanpirësit mbeteshin në tavolinat e tyre në zyrë, duke vazhduar me punën e tyre.

Don Bryden i cili drejton firmën logjistike KCJ Training and Solutions Solutions në Stratton, Wiltshire, vendosi që ta fillojë vitin e ri me një politikë të re radikale.

 “Po i vëzhgoja punonjësit që pinë duhan. Ata pinë 4, 5 ose 10 cigare në ditë dhe marrin nga 10 minuta kohë për të pirë një cigare. Gjatë këtyre pushimeve punonjësit e tjerë që nuk pinë duhan janë të gjithë në punë. Kështu që mendova se ata duhet të kompensohen Pashë në mediat sociale një sugjerim kur thuhej se punonjësit që nuk pinë duhan duhet të kenë edhe katër ditë pushim ekstra. Kështu që vendosa ta zbatoj”.- tha Bryden, citon Daily Mail.

Ai beson se kjo politikë mund të funksionojë për të stimuluar dhe punonjësit e tjerë që të lënë duhanin për të marrë edhe ata ditët e ekstra të pushimit.

 “Çuditërisht, kur bëra njoftimin disa nga punëtorët thanë se edhe ata nuk do të pinë duhan më, por nuk funksionon kështu. Nëse ata mund të heqin dorë nga pirja e duhanit për 12 muaj, do t’u jap edhe atyre katër ditë shtesë”.

Krzystof Krzywozeka, i cili ka punuar në KCJ për më shumë se gjashtë muaj dhe nuk pi duhan, tha se ai ishte ‘mjaft i befasuar’ nga politika e re.

Ai tha: “Don e kishte përmendur këtë disa javë më parë, por unë mendova se ai thjesht po e sugjeronte atë dhe asgjë nuk do të ndodhte, por më pas ai vendosi ta bënte me të vërtetë. Është absolutisht e mahnitshme, unë mendoj se është një ide e shkëlqyeshme dhe mund t’i motivojë njerëzit të lënë duhanin”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *