Presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur mbështetje ndaj protestuesve të cilët kanë dalë në rrugët e Iranit dhe janë përplasur dhe me policinë, pasi Teherani pranoi se gjuajti aksidentalisht një avion ukrainas.
“Për njerëzit e guximshëm dhe të duruar të Iranit: Unë kam qëndruar me ju që nga fillimi i Presidencës sime, dhe Administrata ime do të vazhdojë të qëndrojë me ju. Ne po ndjekim protestat tuaja nga afër dhe jemi frymëzuar nga guximi juaj”- shkroi Trump jo vetëm në anglisht, por edhe në gjuhën Farsi.
“Bota po vëzhgon”- tha Trump duke paralajmëruar qeverinë e Iranit kundër “një masakre tjetër të protestuesve paqësorë” dhe duke kërkuar që “të lejojë grupet e të drejtave të njeriut të monitorojnë dhe raportojnë fakte nga toka”.
Më herët gjatë ditës së shtunë, ambasadori britanik në Iran, Rob Macaire, u ndalua për pak kohë për shkak të rolit të tij në nxitje të protestave.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar e quajti arrestmin e ambasadorit një “shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar” dhe këmbënguli se Macaire ishte ndaluar pa asnjë shpjegim.
Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit pranoi dje se avioni ukrainas u rrëzua të mërkurën nga një sulm aksidental me raketë, duke u justifikuar se bëhet fjalë për një “gabim njerëzor”.
Pasi shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave, presidenti iranian Hassan Rouhani kërkoi falje për “gabimin katastrofik” në emër të Iranit, duke pranuar plotësisht se tragjedia ishte shkaktuar nga veprimet e gabuara të ushtrisë së vendit të tij.