Vendosni fjalën kyçe....

Ah po, Rama e ka përmbushur një premtim


Blog-Autor: Hysni Gura

Asnjëherë, asnjë qeveri, nuk mundet dot të kënaqë gjithë popullin dhe të mbajë gjithë premtimet e bëra.

Andaj, më e suksesshmja, quhet ajo qeveri e cila ndan prioritetet më emergjente, dhe i përmbush ato.

Ne harrojmë si popull, po shyqyr ca gjëra kanë mbetur të shkruara dhe të aksesueshme për këdo që nuk do të mbetet harraq.

Kur erdhi Rama në pushtet në 2013, pati disa prioritete në programin qeverisës. Po marrim 2013 se pas saj nuk ka premtuar më gjë , ‘mori pushtetin për të vjedh Shqipërinë, pas 2013 vodhi Shqipërinë për të mbajtur pushtetin’.

U duket e dëgjuar kjo fjalia e fundit?!

Po, po, të dëgjuar e keni sepse ishte një ndër prioritetet e Ramës e kundërta e kësaj fjalie.

-Pati prioritet organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Si përfundoi ky prioritet?

E mbani mend? Vetëm 3-4 muaj më vonë organizoi zgjedhjet në Bashkinë Korçë. I vodhi, i përlau, edhe pse s’kishte fare nevojë se do fitonte i sigurt, ishte fringo si kryeminisitër e qeveri, nuk kishte nevojë të sforcohej. Por ai si gjithmonë luan të sigurtën se është pak frikacak.

-Prioritet tjetër ishte pastrimi i administratës nga “malokët” dhe çdo njeri që do merrej në punë do duhej të dinte shkrim e këndim shqip shumë mirë.

E mbani mend ç’ndodhi më këtë prioritet?

Në ato organizimet e “100 ditët e para” që bënte ky, rastisi në Berat, në mos gaboj, një radhë. Salla plot, ky fliste për arritjet, ndërkohë pas shpinës së tij qëndronte një nga këto banderolat e mëdha ku fjala “çfarë”, shkruhej “ç’farë”. Të tjerat më pas i dini ç’bëri me këtë prioritet.

-Tjetër prioritet ishte “do bëjmë shtet, do luftojmë bandat, do zhdukim fenomenin Lazarat”!

E mbani mend? Zhduku Lazaratin, lazaratizoi gjithë Republikën me kanabis. Bandat? I luftoi, nga skutat e errëta ku ishin, i nxori e i futi në parlament, në bashki, në administratë, e kudo ku mundi.

Bëri edhe shtet! Vjedhjet më spektakolare të bankave nën qeverisjen e tij kanë ndodhur. Kujtoni cilin rast të doni, po unë po përmend atë të ndodhur në zonën e sigurisë së lartë “Aeroportin e Rinasit”.

Vrasjet më spektakolare dhe më të bujshme nën qeverisjen e tij kanë ndodhur. Kujtoni Santon, në mes të “Bllokut”! Të tjerat kujtojini vetë!

-Prioritet tjetër ishte ulja e çmimit të ushqimeve të shportës.

Dhjetë kokrra vezë kushtonin 120-130/lek para 2013, sot kushtojnë 150-180/lek.

1 Bukë ishte 70/lek, sot 80.

1-litër qumësht ishte 120/lek, sot 140.

1-kg mish ishte diku te 750-800/lek, sot është 850-900/lek.

1-kg djathë ishte diku te 700/lek, sot 850/lek…këto e shumë të tjera renditini vetë!

-Prioritet tjetër pati arsimin.

Reforma në arsim që bëri Rama, për pak, prodhoi një lëvizje masive studentore të dytë, si ajo ’90. E kapi shpejt situatën, e shoi. Por problemi aty është.

-Tjetër prioritet ishte anulimi i të gjitha konçensioneve korruptive.

Keni nevojë t’ju përmend gjë këtu? 🤦‍♂ Ja, “Markimi i Karburantëve”, “Rapiscan”, “HEC-et mbi Valbonë dhe Vjosë” dhe “Vendburimet e naftës”.

Se ç’ka bërë me konçensionet e dini vetë tani të gjithë, këto ishin sa për tu ngacmuar pak imagjinatën.

-Tjetër prioritet ishte ulja e taksës së energjisë për familjarët, nga 20% në 6%.

E mbani mend? Familjarët i rrasi në burgje, u “mori shpirtin” me kamatvonesat, bizneset e mëdha dhe entet shtetërore që paguanin me vonesë para se të vinte ky, nuk paguan më fare pasi erdhi ky. 

-Tjetër prioritet ishte nxjerrja e bujqësisë nga gjendja mesjetare, ulja e çmimit të naftës për fermerët.

Nuk po zgjatem se jam ndoshta nga të rrallët që për 7 vite me radhë kam folur për këtë sektor, madje kam bërë opozitë në këtë drejtim edhe më shumë se opozita. Këtë herë po e mbyll shkurt. Këtij prioriteti (bujqësisë), Rama jo vetëm nuk i uli naftën, por i bëri naftën.

|p.s|

Do mendoj dikush, – po si asnjë prioritet nuk ka çuar me sukses deri në fund Rama? Ia fut kot, ose do më quajë njeri që sheh vetëm zi!

Ja që u nxitove “ti” që mendove ashtu!

Ka një prioritet që e kishte, dhe e realizoi Rama.

-Prioriteti i hapjes së negociatave me BE dhe përshpejtimi i proceseve integruese.

Këtë prioritet e ka realizuar, e kanë thënë edhe këta ambasadorët e vendeve mike, s’kam si e mohoj, s’kam nga luaj.

Madje aq shumë e ka përshpejtuar këtë proces sa, deri më sot, negociatat janë hap 4 herë!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *