Vendosni fjalën kyçe....

Meta ktheu ligjet për median, reagon Balla: Dekretet e tij do i rrëzojmë


Kreu i grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka reaguar lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta, për të kthyer në Kuvend për rishqyrtim dy ligjet që përfshihen në të ashtuquajturën “Paketë Antishpifje”.

”Kudo në botën demokratike dihej se Presidenti Meta pas urdhërit të Bashës do të kthente mbrapsht përmes dekretit dy ligjet komponentë të kësaj pakete të parë të betejës me shpifjen.

Edhe në të ardhmen, legjislacioni shqiptar duhet të përmirësohet për të garantuar fitoren e së vërtetës ndaj shpifjes.

Përmirësimet ligjore janë certifikuar tërësisht nga partneri i rëndësishëm OSBE, edhe në kuadër të faktit historik që ne e drejtojmë tani. Mban 57 vende dhe 1 miliardë persona.

Më 20 janar dekretet i njoftohen Kuvendit, dhe në seancën më të parë dekretet e z. Meta do të rrëzohen.”- tha Balla në një deklaratë për mediat.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ktheu një ditë më parë për rishqyrtim në parlament ndryshimet në dy ligjet “Për mediat audiovizive” dhe “Për komunikimet elektronike”.

Sipas Presidentit, kjo paketë shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik dhe bie në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese ndërsa theksoi se instalonte censurë në vend.

“Paketa Antishpifje” është kundërshtuar shumë nga komuniteti i gazetarëve në Shqipëri, si dhe nga mjaft organizata të huaja. Kryesisht sepse i jep AMA-s kompetenca gjyqësore, në vendosjen e gjobave për mediat online. Në këtë paketë përfshihet dy projektligje për median, të cilat u votuan në seancën e fundit parlamentare për 2019-ën. Me 82 vota pro, 13 kundër dhe 5 abstenim Kuvendi kaloi ligjin me disa amendamente të minutave të fundit nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *