Uashingtoni ka arritur të ndërpresë mbi 95 përqind të të ardhurave nga nafta të Iranit, sipas Sekretarit të Thesarit, Steven Mnuchin.
Ai i tha ‘Fox News’ se zyrtarët amerikanë tani po punojnë për çështjen në fjalë me Kinën, pasi vendi aziatik përbën një pjesë të konsiderueshme të eksporteve të naftës që kanë mbetur në Iran.
‘Unë u ula me zyrtarët kinezë. Ata erdhën për t’u takuar me ne dhe Departamentin e Shtetit për të folur rreth kësaj çështjeje. Ata kanë ndaluar të gjitha kompanitë shtetërore nga blerja e naftës iraniane dhe ne po punojmë ngushtë me ta që sigurojmë se ata do e ndalojnë krejtësisht blerjen e naftës iraniane,’ tha Mnuchin.
Ai vuri në dukje se qëllimi i administratës amerikane është të shkurtojë të ardhurat nga nafta që përdoren për financimin e luftërave të nxitura nga Irani në rajon.
‘Kina është subjekt i sanksioneve ashtu si të gjithë të tjerët. Ne në fakt sanksionuam disa prej kompanive të transportit të tyre që ishin të përfshirë në blerjen e naftës dhe ne do të vazhdojmë të vëmë sanksione të tjera kundër Kinës dhe kujtdo tjetër në mbarë botën që vazhdon të bëjë biznes me ta. Evropianët po respektojnë sanksionet tona kryesore por do u nënshtroheshin sanksioneve sekondare, dhe ata e kuptojnë këtë.’ – tha Mnuchin.