Zyra e Presidentit të Kosovës, Thaçi, nuk e përjashton mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, lidhur me çështjen e personit që do do marrë përsipër krijimin e qeverisë.
Sipas njoftimit, theksohet se është përgjegjësi e kreut të shtetit të bëjë të mundur funksionalizimin e institucioneve kushtetuese.
‘Ai është garantues i funksionimit kushtetues e demokratik dhe është i obliguar të ndërmarr çdo hap të nevojshëm për ta përmbushur këtë detyrim të tij, duke mos përjashtuar edhe kërkesat drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çdo paqartësi kushtetuese dhe ligjore në shërbim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja’, tha zyra e Thaçit për KTV-në, shkruan Koha.net.
Ndërkohë kreu i LDK-së, Mustafa, ka deklaruar se zgjidhjen e ngërcit e ka në dorë Lëvizja Vetëvendosje. Ai e bëri deklaratën pas takimeve me ambasadorin amerikan Philip Kosnett dhe ish- ambasadorin Wiliam Walker.
‘Ne po presim një zgjidhje nga VV-ja. Një zgjidhje që është funksionale për dy palët, derisa ta marrim zgjedhjen po presim. Përgjegjësia është e atyre që të ofrojë një zgjidhje në këtë situatë të krijuar. Nuk po flas as për ofertën e Kurtit sepse ne nuk i kemi shqyrtuar në organet tona. Ofertat e veçanta nuk I shqyrtojmë. Kemi biseduar për parimet që duhet ti ketë një qeverisje. Po e presim një zgjidhje që ata duhet ta ofrojnë që të kemi një qeveri stabile.’, thonë burime nga LDK-ja.