Gjykata e Tiranës ka vendosur të rrëzojë akuzat e prokurorisë ndaj kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-sekretarit të Përgjithshëm, Arben Ristani dhe financierit të PD-së, Ilir Dervishi.
Seanca e sotme është drejtuar nga gjyqtari Lazër Sallaku, i cili ka pushuar çështjen pasi sipas tij nuk ka prova që vërtetojnë akuzat e ngritura nga organi i akuzës.
Në seancën e ditës së sotme, kryedemokrati nuk mori pjesë por u përfaqësua nga avokatët Ivi Kaso e Eduard Halimi. Pak javë më parë, prokuroria e çoi në gjykatë dosjen ndaj Bashës dhe dy zyrtarëve të tjerë vetëm për akuzën e falsifikimit të formularëve, duke rrëzuar atë të lobimit rus.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore, avokati Halimi tha se me vendimin e sotëm u vërtetua se bëhej fjalë për një akuzë të sajuar dhe iu dha fund gjuetisë së shtrigave.
‘Vendimi i sotëm i gjykatës ishte vendim drejtësie. U provua pas 2 vitesh hetime se gjithçka ishte një akuzë e sajuar, bazuar mbi spekulime dhe u vërteta se nga hetimet nuk kishte asnjë lidhje PD dhe nuk kishte asnjë vepër penale për të dhe nuk ishte shkelur ligji nga ajo. U vërtetua katërcipërisht. Ishte vendim drejtësie. Ne jemi avokatë të çështjes. Ky ishte një vendim që rrëzoi të gjithë akuzën, të gjithë ‘gjuetinë e shtrigave’. U rrëzuan të gjitha akuzat ndaj PD.’ – tha Halimi.