Një burrë ka mbijetuar më shumë se tre javë në Alaskë, me pak ushqim dhe pa strehim. Siç shkruan BBC, autoritetet e shpëtuan 30-vjeçarin Tyson Steele, pasi një zjarr shkatërroi kabinën e tij.
Ai jetoi me ushqime të konservuara që i mbijetuan flakëve dhe ngriti një tendë nga mbeturinat e kabinës, në temperatura nën zero.
Autoritetet e gjetën zotin Steele, pasi familjarët e shqetësuar të tij kishin kërkuar ndihmë për ta gjetur.
Steele kishte shkruar një mesazh SOS në dëborë dhe policia ka publikur pamjet e shpëtimit të 30-vjeçarit dhe momentin kur ai tregon historinë.
Tyson Steele tregon se e kishte blerë kabinën prej pëlhure dhe dërrase nga një veteran i luftës në Vietnam. Kasollja ndodhej në Luginën e largët të Susitna-s, rreth 20 milje larg qytetit të Skëentna.
Steele nuk është i sigurt saktësisht se çfarë nate filloi zjarri, pasi ai ka jetuar vetëm në kabinë që nga shtatori. Por ai beson se mund të ishte data 17 ose 18 dhjetor kur vendosi një copë kartoni të madh në sobën me dru.
“Filloi me një gabim mjaft të nxituar” tha ai. “Unë kam pasur dru zjarri gjatë gjithë jetës sime. E dija që kjo s’bëhet.”
Steele u zgjua nga pikat e nxehta të plastikës që binin nga çatia e tij herët në mëngjes. Ai vrapoi jashtë i veshur vetëm me çizme, xhinse dhe një bluzë.
Ai u kthye përsëri për të rrëmbyer ndonjë batanije dhe pushkën e tij. Por ai nuk ishte në gjendje të shpëtonte qenin e tij labrador, Phil. Steel mendonte se qeni kishte shpëtuar, por e kuptoi me vonesë se qeni ishte bllokuar brenda kur dëgjoi një ulërimë nga kabina e djegur.
Ai i hodhi dëborë flakëve për orë të tëra, por nuk mundi të shpëtonte strehimin. Më pas mblodhi kanaçet që kishin mbijetuar, dhe i kaloi dy netët e para në një shpellë dëbore. Ai më pas krijoi një tendë nga copëza prej pëlhure dhe përdori për t’u ngrohur sobën që kishte shpëtuar.
30-vjeçari u shpëtua përfundimisht pasi të afërmit e tij të shqetësuar nga mungesa e kontaktit i kërkuan autoriteteve në Alaska që të shkonin ta kontrollonin.
Pas kësaj ngjarjeje, Steele tha që ai do të kthehej për të parë familjen e tij në Utah.