Kryetarja e LSI-së, Kryemadhi, ka deklaruar se gjithëpërfshirja e dialogu janë rrugët e vetme për të realizuar reformën e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në një status në Facebook ajo thekson se reforma zgjedhore duhet miratuar pa humbur kohë për t’u mundësuar shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur të lirë.
Kryemadhi thekson se opozita mori sot përgjegjësinë për ta realizuar këtë reformë, që është një nga 9 kushtet e Bundestagut gjerman.
‘Integrimi Evropian i Shqipërisë nuk mund të sakrifikohet për asnjë arsye. Gjithëpërfshirja dhe dialogu politik janë të vetmet rrugë me të cilat mund të realizojmë reformat e nevojshme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj pa humbur kohë të miratojmë një reformë zgjedhore që u mundëson qytetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur të lirë, pa presionin e bandave, intimidimin me vendin e punës dhe nën kërcënimin e levave të pushtetit. Opozita sot mori përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve shqiptarë për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman për të bërë të mundur hapjen e negociatave në Samitin e Zagrebit. Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet e saja në integrimin evropian të vendit.’ – shkruan Kryemadhi.
Më tej, kryetarja e LSI-së shton se pas hapit të bërë nga opozita, qeveria duhet të tregojë se është e gatshme që të mos mbajë peng të ardhmen europiane të vendit duke shtuar se shumica duhet të përmbushë 8 pikat e tjera të vendosura nga parlamenti gjerman.
Ajo përmend ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, vënien para përgjegjësisë të vjedhësve të votave në dosjet 184 e 339 si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.
‘Nga sot, pas dakordësisë së opozitës në unison, për të përmbyllur me konsesus dhe nën prezencën e faktorit ndërkombëtar Reformën Zgjedhore, i duhet Qeverisë dhe maxhorancës të tregojë se është e gatshme të mos mbajë më peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman. Nga sot është kjo maxhorancë që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës pa keqpërdorur mekanizmat e saja qorre në KED apo në Parlament. Nga sot është përgjigjësia e kësaj maxhorance të bëhet gati për implementimin e Reformës zgjedhore që do të miratohet me konsesus. Nga sot është përgjegjësia e kësaj maxhorance që të plotësojë kushtin e vënies para drejtësisë së vjedhësëve të votave, dosja 184 dhe 339. Nga sot është përgjegjësi e maxhorancës të japë shembuj për luftën ndaj korrupsionit të saj. Dhjetra dosje të korrupsionit qeveritar janë në sirtaret e Prokurorisë. Sot opozita, me marrjen e përgjegjësisë për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve. Shqipëria është e para! E ardhmja evropiane e saj është e para!’ – mbyll reagimin Kryemadhi.