Vendosni fjalën kyçe....

Mbretëresha bie dakord me princ Harry-n dhe Meghan-in: Do e kalojnë kohën mes Kanadasë dhe Britanisë


Mbretëresha Elisabeth II ka rënë dakord me nipin e saj Dukën e Ssussex dhe gruan e tij, që këta të fundit të kalojnë një “periudhë tranzicioni” mes Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Siç shkruan BBC, ajo tha se e mbështet plotësisht dëshirën e tyre për një rol të ri, por “do të preferonte” që ata të mbeteshin pjesë e familjes mbretërore me kohë të plotë.

Ky reagim vjen pas shumë orësh diskutime që familja mbretërore britanike pati ditën e djeshme, në Sandringham.

Mbretëresha tha se priste që vendimet përfundimtare të merreshin në ditët në vijim. Sipas saj bisedimet në Sandringham, ku morën pjesë dhe Princi i Uellsit dhe Dukesha e Kembrixhit, kishin qenë “shumë konstruktive”.

“Sot familja ime pati diskutime shumë konstruktive për të ardhmen e nipit tim dhe familjes së tij. Familja ime dhe unë jemi plotësisht mbështetës të dëshirës së Harry-t dhe Meghan-it për të krijuar një jetë të re, si një familje e re. Megjithëse do të preferonim që ata të mbeteshin anëtarë që punojnë me kohë të plotë të Familjes Mbretërore, ne e respektojmë dhe e kuptojmë dëshirën e tyre për të jetuar një jetë më të pavarur si familje duke mbetur një pjesë e vlerësuar e familjes time.

Harry dhe Meghan e kanë bërë të qartë se ata nuk duan të mbështeten në fondet publike në jetën e tyre të re.

Prandaj kemi rënë dakord që do të ketë një periudhë tranzicioni në të cilën Sussexes do të kalojë kohën mes Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Këto janë çështje komplekse për familjen time dhe ka edhe shumë punë për të bërë, por unë kam kërkuar që vendimet përfundimtare të arrihen në ditët në vijim.”- thuhet në deklaratën e mbretëreshës.

Bisedimet urgjente mes anëtarëve të familjes mbretërore erdhën pasi princi HArry dhe dukesha Meghan i zunë në befasi kur deklaruan të mërkurën se donin të hiqnin dorë nga detyrat e tyre mbretërore dhe kërkonin një jetë të pavarur.

Ata thanë se dëshironin një “rol të ri progresiv” brenda institucionit, ku ata do të ishin të pavarur financiarisht dhe do ta kalonin kohën midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Amerikës së Veriut.

Të dy, folën për vështirësitë e jetës mbretërore dhe vëmendjen e mediave në muajt e fundit, dhe princi Harry tha se ai ka frikë se gruaja e tij do të binte viktimë e “të njëjtave forca të fuqishme” që çuan në vdekjen e nënës së tij. Deklarata e mbretëreshës është shumë më personale nga çdo deklaratë tjetër, pasi ka hequr dorë nga përdorimi i titujve duke e quajtur princin Harry “nipi im” dhe thotë “familja ime”. Duket si deklarata e një gjyshe për familjen e saj dhe jo një deklaratë formale e mbretërisë, çka sugjeron se mbretëresha ka dashur t’i bëjë princin Harry-n dhe Meghan-in të ndihen të afërt dhe të dashur.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *