Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u caktua pak ditë më parë si i dërguari i posaçëm i kryeministrit Rama për OSBE-në.
Njoftimi u bë publik edhe në faqen zyrtare të OSBE-së, ku Bushati kryeson listën e personave që gjatë këtij viti do të drejtojnë fusha të caktuara.
Dikur një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit Rama, marrëdhënia mes tij dhe shefit të qeverisë pësoi krisje pas shkarkimit të Bushatit si ministër i Jashtëm.
Qëndrimi kundër i ish-ministrit për marrëveshjen e kufijve mes Kosovës e Serbisë, duket se qe edhe pika e thyerjes mes tij dhe Ramës dhe që çoi në shkarkimin e Bushatit nga posti si ministër.
Asokohe, ministri i Jashtëm i Greqisë, Kotzias, deklaronte se Bushati nuk ishte shkarkuar se kishte shumë kohë në qeverisje, por për kundërshtinë e tij ndaj marrëveshjes së kufijve.
‘Ditmir Bushati, për mendimin tim, nuk u largua nga kabineti sepse qëndroi gjatë në krye të diplomacisë, por sepse kishte një këndvështrim tjetër për çështjen e Kosovës. Me pak fjalë, ai ishte kundër ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë’, deklaronte shefi i diplomacisë greke.
Pas largimit nga posti që mbante, Bushatit veshi rolin e opozitarit të kryeministrit brenda shumicës. Ai e kundërshtoi Ramën në disa çështje, duke folur në Kuvend apo në deklarata mediatike.
Çështjet kryesore për të cilat ish-shefi i diplomacisë e ka kundërshtuar kreun e qeverisë janë mini-Schengeni Ballkanik, ligji i mediave dhe rezoluta kundër ndikimit rus në vend.
Për mini-Schengenin Ballkanik, Bushati është shprehur kundër këtij projekti për aq kohë sa Kosova ka mbetur jashtë këtij procesi.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Bushati, ka kritikuar pak kohë më parë ligjet për mediat, të njohura si paketa anti-shpifje.
‘Bie ndesh me Këshillin e Europës. Ata nuk e kanë kërkuar këtë ligj. Ne po nxitohemi që po bëjmë një ligj të tillë.’ – ka thënë Bushati lidhur me ligjin në fjalë.
Ndërsa lidhur me rezolutën kundër ndikimit rus, Bushati ka shprehur kundërshtitë e tij duke thënë se rezoluta nuk është në të njëjtën linjë me pozicionet dhe dokumentat e miratuara nga qeveria.
‘A është në përputhje terminologjia me gjithë dokumentet që ka miratuar qeveria shqiptare? Dhe po ju them që nuk është dhe prapë me shqetëson. Objektivat e kësaj rezolute janë në përputhje? Po ju them që nuk janë. Po ju them që në këtë proces zonja kryetare (Mimi Kodheli), duhet që ne si komision të kishim rolin kryesor për dhënie mendimi.’ – ka thënë asokohe Bushati për çështjen në fjalë.
Pas këtyre qëndrimeve të Bushatit dhe emërimit të tij si i dërguari i posaçëm i kryeministrit Rama në OSBE, pyetja që ngrihet është: Po tani, do jetë dakord Bushati me politikën e jashtme te Ramës? /Hashtag.al