Policia Rrugore e Tiranës, nga kontrollet gjatë 12 orëve të fundit ka sekuestron armë zjarri, mjet të blinduar, fenelina policie, godet një rast të trafikimit të paligjshëm të klandestinëve dhe vë në pranga katër persona, dy prej të cilëve në kërkim.
Qarkullonte me mjet të blinduar dhe me fenelina, si dhe mbante me vete armë zjarri pistoletë, vihet në pranga nga Policia Rrugore e Tiranës 44-vjeçari nga Fushë Kruja.
Gjatë kontrolleve janë arrestuar në flagrancë për shkelje rrugore edhe dy persona të tjerë të shpallur në kërkim.
Gjithashtu,është kapur edhe një drejtues mjeti që drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe transportonte disa shtetas të huaj, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit.
Njoftimi i policisë:
Policia Rrugore e kryeqytetit, në vijim të kontrolleve parandaluese për aksidentet rrugore, verifikimin e automjeteve që përdorin sisteme pamore dhe zanore shtesë, si dhe në zbatim të planit të masave të DVP Tiranë për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, gjatë monitorimit të sjelljes se përdorueseve të rrugës, në rrugën interurbane Vorë-Krujë ka konstatuar në lëvizje një automjet që përdorte sisteme pamore shtesë dhe menjëherë është vënë në ndjekje të tij duke e ndaluar atë.
Gjatë kryerjes së veprimeve policore, drejtuesi i mjetit me iniciale M. V., 44 vjeç, nga Fushë Kruja rezultoi se drejtonte një automjet të blinduar pa autorizimin përkatës dhe me mangësi në dokumentacionin e mjetit.
Nisur nga mangësitë dhe përdorimi i sistemeve pamore shtesë, nga patrulla e Policisë Rrugore u bë edhe një kontroll i imtësishëm, gjatë të cilit, këtij shtetasi, në çantën e dorës iu gjet edhe një armë zjarri pa leje, e tipit TT. Menjëherë u bë arrestimi i tij në kushtet e flagrancës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Automjeti i blinduar u sekuestrua ne ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime te tjera hetimore e procedurale. Ndërkohë, ky shtetas është ndëshkuar edhe me masën administrative “Tërheqja e lejes së drejtimit”, për përdorim të sistemeve shtesë dhe mungesë të dokumentacionit të automjetit të blinduar.
Gjithashtu, nga kontrollet e tjera policore, nga efektivet e Policisë Rrugore Tiranë janë arrestuar në kushtet e flagrancës edhe dy shtetas të tjerë të shpallur në kërkim:
E.K, 20 vjeç, i cili u ndalua për t’u ndëshkuar me masë administrative për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por nga verifikimi i mëtejshëm rezultoi se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të rendit publik”.
B.Sh., 40 vjeç, banues në Tiranë, i cili u ndalua për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, por nga verifikimi rezultoi se ky shtetas ishte i dënuar nga Gjykata e Rrethit Durrës me 2 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Vjedhja, e kryer në bashkëpunim”.
Gjithashtu, gjatë kontrolleve policore, Policia Rrugore e Tiranës ndaloi dhe shtetasin M. C., 19 vjeç, banues në Durrës, i cili nga verifikimi rezultoi i papajisur me leje drejtimi, si dhe duke transportuar me mjet disa shtetas sirianë, në drejtim të Shkodrës, me qëllim dhënien ndihmë, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt përfitimit. 19-vjeçari është arrestuar në flagrancë, në bashkëpunim dhe me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Nga data 1 deri në 14 janar 2020, falë kontrolleve nga Policia e Shtetit janë sekuestruar 3 pistoleta, 4 kallashnikovë, 3 armë gjahu, 3 pushkë, 1 silenciator, fitil zjarrpërcjellës dhe 3 armë të ftohta (thika).