Vendosni fjalën kyçe....

Prokuroria nis hetimet për Ismailajn, kërkon gjurmët e gishtave dhe formularin e vetëdeklarimit


Pas denoncimeve të Partisë Demokratike, Prokuroria e Përgjithshme i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i kërkon formularin e vetëdeklarimit të kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailaj. 

Kërkesa e prokurorisë mban firmën e kryeprokurorit Olsian Çela.

“Na vini në dispozicion formularin e vetëdeklarimit të Qerim Ismailaj. Kërkojmë përcjelljen sa më parë të këtij formulari”, thuhet në kërkesën drejtuar KQZ-së.

Ndërkohë sipas Ora News, sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka nisur verifikimin për gjurmët e gishtave të kreut të Bashkisë së Mallakastrës, Qerim Ismailajt.

Organi i akuzës i ka drejtuar një kërkesë kryebashkiakut, ndërsa gjurmët e gishtave fillimisht do t’i merren nga ADISA.

Sipas denoncimit të Partisë Demokratike, Qerim Ismailaj është dënuar nga gjykata greke por ai nuk e ka treguar këtë në formularin e dekriminalizimit. Duke iu referuar dokumenteve të prokurorisë greke, Gazment Bardhi thotë se Ismailaj ka qenë i dënuar me 3 vjet për plagosje, por nuk e ka kryer këtë dënim pasi nuk është gjetur nga autoritetet greke.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *