Presidenti iranian Hassan Rouhani ka refuzuar këtë të mërkurën propozimin e Boris Johnsonit për një marrëveshje të re bërthamore me SHBA-në.
Siç shkruan Reuters, Rouhani e ka konsideruar propozimin e kryeministrit britanik si një ofertë “të çuditshme” ndërsa kritikoi Presidentin e SHBA-ve Donald Trump se gjithmonë thyente premtimet.
Kryeministri britanik Boris Johnson, bëri thirrje të martën që presidenti amerikan të zëvendësojë marrëveshjen bërthamore të Iranit të vitit 2015 me fuqitë e mëdha me një pakt të ri, për t’u siguruar që Teherani të mos realizojë armë atomike.
Trump tha se ishte dakord me Johnson, mirëpo Rouhani i kërkoi SHBA-së t’i kthehej paktit bërthamor të vjetër që Uashingtoni e braktisi në vitin 2018.
Marrëveshja kërkon heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor. Që kur u largua nga kjo marrëveshje, Trump ka shtuar sanksione të reja ndaj Iranit që kanë sakatuar ekonominë e këtij vendi.