Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka shpallur non grata përfaqësuesit e ambasadës iraniane në vend. Njoftimi është bërë nga faqja zyrtare në Facebook e ministrit të Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj.
Ai shkruan se shpallja non grata e dy përfaqësuesve është bërë për shkak të veprimtarisë së tyre dhe atyre u është kërkuar të largohen menjëherë nga vendi.
‘Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka vendosur sot, që përfaqësuesit diplomatikë të Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri, z. Mohammad Ali Arz Peimanemati dhe z. Seyed Ahmad Hosseini Alast, të shpallen persona të padëshirueshëm, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Dy përfaqësuesëve të Republikës Islamike të Iranit ju është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë.’ – shkruan Cakaj.