Në orët e vona të pasdites së djeshme, një telefonatë anonime ka ngritur në këmbë kryeqytetin italian pasi paralajmërohej për një bombë.
Paralajmërimi u bë në ndërtesën ku ndodhet redaksia qendrore e gazetës La Repubblica, e përjavshmja L’Espresso, Radio Capital, redaksia romake e la Stampa dhe zyrat e stafit administrativ dhe poligrafik të grupit Gedi.
Alarmi detyroi evakuimin e ndërtesës dhe gazetarët e këtyre mediave që ndodheshin në ambientet e punës si dhe pjesëtarë të tjerë të stafeve dolën në mes të rrugëve të tmerruar dhe qëndruan jashtë për dy orë.
Siç shkruan La Repubblica, thirrja telefonike që ka zgjatur vetëm disa sekonda, deri më tani nuk është mundur të gjurmohet. Një zë mashkulli paralajmëronte se ishte vënë një bombë në një nga dhjetë katet e ndërtesës në Cristoforo Colombo 90, në rrethin Eur.
Menaxherët e sigurisë së Grupit Gedi menjëherë kontaktuan me karabinierët dhe nisi procedura standarde për përgjigjen ndaj urgjencave në rast të sulmeve të tilla. Fillimisht u vendos për evakuiimin e njerëzve në zonën përreth e më pas për gjetjen dhe çmontimin bombës. Në të njëjtën kohë, mbërritën tre mjete zjarrfikës, një ambulancë dhe njësia qen e skuadrave të bombave. Por asnjë bombë nuk u gjet.
Autoritetet kuptuan se çdo vonesë mund të rrezikonte daljen e rregullt të gazetave të La Repubblica dhe La Stampa këtë mëngjes (çka mund të ishte dhe objektivi i provokimit).