Vendosni fjalën kyçe....

Çfarë harroi Bardhi në deklaratën e sotme kundër Malajt


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i kërkoi sot prokurorisë që të nisë verifikimin e së kaluarës së kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj.

Numri dy i selisë blu publikoi një dokument dhe e akuzon ish-gardistin se preket nga Ligji i Dekriminalizimit e kësisoj nuk mund ta vijojë më detyrën duke qenë se është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje.

Por ajo që harroi të përmendë Bardhi sot, është fakti se një përfaqësues i Partisë Demokratike, ka qenë në të njëjtat kushte me Malajn, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.

Asokohe, Fitim Zekthi, që garonte për Partinë Demokratike në Elbasan, deklaronte në formularin e Dekriminalizimit se ishte dënuar me 6 muaj burg për mashtrim, por KQZ-ja e lejoi të garonte.

Por le t’i rikthehemi edhe njëhere deklaratës së sotme të selisë blu dhe asaj se çfarë ka ndodhur në rastin e kryebashiakut të Matit, Agron Malaj.

Malaj rezulton se është verifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para kandidimit të tij ndërsa firmëtar të vendimit kanë qenë edhe përfaqësuesit e opozitës.

Sipas vendimit të marrë nga KQZ-ja në datën 15 maj 2019, Malaj është lejuar të kandidojë në zgjedhjet e 30 qershorit 2019 për Aleancën për Shqipërinë Europiane, në Qarkun Dibër, Bashkia Mat.

Në fund të verifikimit të Malajt, pasi mori informacion nga zyra e gjendjes gjyqësore, KQZ-ja vendosi për lejimin e garimit të tij në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, pasi sipas saj, ai nuk ishte në kushtet e ndalimit të kandidimit.

Dy vjet më parë, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017, në qarkun e Elbasanit një nga kandidatët e Partisë Demokratike ishte Fitim Zekthi.

Në formularin e Dekriminalizimit të dorëzuar prej tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve rezulton se Zekthi ka deklaruar dënimin me 6 muaj burg për mashtrim, të marrë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Edhe Gjykata e Apelit la në fuqi të njëjtin dënim, siç deklaron Zekthi në formular. Asokohe askush nuk u mor me kandidatin e Partisë Demokratike ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e lejoi Zekthtin që të kandidojë.

Ai ishte i gjashti në listën e Elbasanit dhe nuk arriti të zgjidhej deputet. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *