Pas përfundimit të mbledhjes së parë të Këshillit Politik, bashkërkyetari për Reformën në Zgjedhore, Damian Gjiknuri nuk ka lënë pa thumbuar Partinë Demokratike.
Gjiknuri e ka cilësuar një kthesë të madhe uljen në tryezë të PD-së duke thënë se kaloi nga qëndrimet ekstremiste në kompromisin me PS-në.
“Kjo është një tavolinë formale, roli u mbetet përfaqësuesve politikë. Prioritet për këtë grup pune është objekti i punës së komisionit, çështjet e administrimit zgjedhor, pse jo edhe të sistemit. E rëndësishme është që të fokusohemi. PD-ja ka bërë një kthesë të madhe nga qëndrime te saj ekstremiste dhe unë jam shumë i lumtur, që PD-PS dhe të tjerat u ulën për kompromis”-deklaroi Gjiknuri.
Pothuaj një vit më parë, Partia Demokratike la mandatet e deputetëve në Parlament dhe nisi protestat në kundërshtim të veprimeve të mazhorancës dhe qeverisjes së saj.
Një nga arsyet madhore dhe argumentet e opozitës ishte dosja me përgjimet për blerjen e votave në Dibër ku ishte kapur edhe Damian Gjiknuri.