Një 26-vjeçar është ndaluar në Himarë pasi gjatë kontrollit të policisë i është kapur një sasi prej 13 kilogramësh kanabis dhe 2400 euro.
Operacioni i koduar ‘Livadhi’ u zhvillua ditën e sotme.
Personi i ndaluar, sipas policisë e ka hedhur lëndën narkotike pas ndjekjes së efektivëve, ndrësa më pas është bërë edhe ndalimi i tij.
Në pranga ka rënë 26-vjeçari me iniciale K.P., banues në Shkodër, të cilit përveç kanabisit iu kapën edhe 2400 euro.
Njoftimi
‘Finalizohet operacioni antidrogë i koduar “Livadhi”. Sekuestrohen 13 kg kanabis, vihet në pranga 1 shtetas. Specialistët për hetimin e narkotikëve dhe forcat operacionale të DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në qytetin e Himarës po qarkullonte një automjet i dyshimtë, menjëherë kanë organizuar punën, me qëllim bllokimin e këtij mjeti
Në tentativë për t’u larguar dhe për t’i shpëtuar shërbimeve të Policisë, drejtuesi i automjetit “Ford Fiesta” e ka hedhur nga automjeti lëndën narkotike, pranë zonës bregdetare të quajtur “Livadh”, Himarë. Në ndjekje e sipër, shërbimet e Policisë kanë bërë kapjen e menjëhershme dhe arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, 26-vjeçarin K. P., banues në Shkodër. Në vijim të veprimeve procedurale, Policia ka bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
- 13 kg cannabis sativa;
- një automjet “Ford Fiesta”;
- një sasi parash prej 2400 eurosh;
Materialet iu referuan Prokurorisë, në ngarkim të tij, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’.