Kreu i Partisë Demokratike, Basha, deklaroi pasditen e sotme se opozita e bashkuar do bëjë gjithçka për t’i dhënë fund krizës politike në vend.
Pas takimit me Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, kryedemokrati tha se opozita e bashkuar e mbështet plotësisht strategjinë e tij për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
‘Mirëprita ndihmën e BE-së, që mundësoi dialogun politik për Reformën Zgjedhore jashtë parlamentit ilegjitim, të dalë nga krimi i organizuar, si hap i parë për të çuar drejt zgjedhjeve të lira, ku të zgjedhin qytetarët. Pa ndodhur kjo, nuk do të ndodhë asgjë, që do të çojë vendin përpara. Ne jemi të vendosur t’i japim fund krizës politike dhe do bëjmë gjithçka. Prezantuam dhe gjetëm dakordësi të plotë se zgjidhja e krizës së rëndë politike në Shqipëri, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, dhe hapja e negociatave, janë dy objektiva madhore, në harmoni dhe përputhje të plotë me njëri-tjetrin.’, tha Basha.