Partia Demokratike ka denoncuar një tjetër kryebashkiak socialist, që rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë.
Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ka publikuar një dokument që sipas tij fakton të shkuaren kriminale të kryebashkiakut të Matit, Agron Malaj.
“Sot PD i ka kërkuar zyrtarisht prokurorisë verifikimin e të kaluarës kriminale të Edi Ramës së Matit. Agron Malaj i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik.
PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas KQZ të veprojë pa asnjë vonesë për administrimin e vendimit zyrtar të gjykatës së Matit dhe heqjen e mandatit për kreun e bashkisë së Matit Agron Malaj”- tha Bardhi.
Malaj është kryebashkiaku i pestë që PD ka çuar në polici me akuzën se ka fshehur të shkuarën kriminale. Katër të tjerët janë Valdrin Pjetri i Shkodrës, Mark Babani i Vaut të Dejës, Agim Kajmaku i Vorës dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.
Për të parë dokumentin për Malajn kliko këtu.