Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore dhe pas mbarimit të saj pjesëmarrësit u prononcuan për mediat duke dhënë disa detaje rreth diskutimit në tryezë.
Sipas përfaqësuesit të Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, nga Këshilli u autorizuan ekspertët që tëpunojnë me konsensus ku pritoritet janë çështjet sipas OSBE-së.
“Këshilli i autorizoi ekspertët që të operojnë me konsensus deri në momentin e miratimit dhe ajo që bëmë të ditur, qëndrimi i opozitës do të bëhet publik, kryesore është prioriteti i çështjeve, sipas OSBE; lufta kundër shit-blerjes së votave, abuzimi me listat, përdorimi i policisë, por edhe çështjet e tjera pa asnjë përjashtim duke pasur parasysh arritjen e standardeve të OSBE-së. Ekspertët të ecin shpejt për hartimin e reformës”-deklaroi Bylykbashi.
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, deklaroi se prioritet i grupit të punës mbetet administrimi zgjedhor por nuk la pa përjashtuar edhe ndryshimin e sistemit.
“Kjo është një tavolinë formale, roli u mbetet përfaqësuesve politikë. Prioritet për këtë grup pune është objekti i punës së komisionit, çështjet e administrimit zgjedhor, pse jo edhe të sistemit. E rëndësishme është që të fokusohemi. PD-ja ka bërë një kthesë të madhe nga qëndrime te saj ekstremiste dhe unë jam shumë i lumtur, që PD-PS dhe të tjerat u ulën për kompromis”-tha Gjiknuri.
Nga ana tjetër Hajdari u shpreh se shqiptarëve i duhet dhënë një shans që të kenë lista të hapura dhe t’i hiqet pushteti kryetarit të partisë për listat.
“Ne duhet të kemi një produkt që të jetë dakordësuar nga të gjitha palët. Është një marrëveshje që duhet të ndodhë për të përmbyllur Reformën Zgjedhore, duke iu dhënë shans shqiptarëve të kenë lista të hapura, që ata të votojnë ata që duan, dhe për t’u hequr pak pushtetin krerëve të partive. Mendoj që hapja e listave do të ishte një gjë shumë pozitive. Takimi ishte i suksesshëm, përfshirja e të gjitha palëve ishte gjë e mirë. Ju garantoj që tani e tutje do vazhdojmë të takohemi, mbase edhe përditë, pasi duhet bërë një punë shumë intensive”-tha Hajdari.