Ai drejtoi autoritetin tatimor rus që nga viti 2010, por Mikhail Mishustin asnjëherë nuk është konsideruar një politikan i profilit të lartë. Deri tani. Kush është zgjedhja e Vladimir Putinit për të drejtuar qeverinë ruse?
Arsimi dhe karriera
Lindur në Moskë në 1966, Mikhail Vladimirovich Mishustin nuk konsiderohet një politikan me profil të lartë në Rusi dhe karriera e tij ka qenë kryesisht teknokrate deri tani. Ai ka punuar në mbledhjen e taksave që nga viti 1998 dhe ka udhëhequr Shërbimin Federal të Taksave që nga viti 2010.
Megjithë karrierën e tij të përqendruar te taksat, Mishustin fillimisht u diplomua si inxhinier në Institutin Mekanik STANKIN të Moskës (aktualisht Universiteti Shtetëror Teknologjik i Moskës STANKIN) në 1989. Ai ka një doktoraturë në ekonomi, sipas biografisë së tij zyrtare.
Mishustin gjithashtu kishte një rol si ekspert i IT-së në vitet 1990 në Klubin Ndërkombëtar të Kompjuterave, i cili sipas agjencisë së lajmeve ruse TASS, synonte të tërhiqte ‘teknologji të përparuara perëndimore të informacionit në Rusi’.
Mishustin ka drejtuar Shërbimin Federal të Taksave që nga viti 2010 dhe u quajt ‘taksambledhësi i së ardhmes’ në një profil të fundit të ‘Financial Times’, që vuri në dukje përpjekjet e tij për të thjeshtuar punën e departamentit të tij në të gjithë vendin.
Ndërsa përpjekja pati një fillim të vështirë, ai arriti të thjeshtojë taksat për rusët duke krijuar të ashtuquajturin sistem ‘një dritare e vetme’, duke shkurtuar dokumentet që duheshin, duke digjitalizuar pjesën më të madhe të procesit dhe duke ndërtuar një bazë të dhënash masive të unifikuar vitin e kaluar.
Jeta personale – tifoz hokeji
Ashtu si presidenti Putin, kryeministri i sapoemëruar thuhet se është një i dashuruar pas hokejit dhe është parë në disa ndeshjet me zyrtarët e shërbimeve të sigurisë. Ai është gjithashtu një anëtar i bordit të Federatës Ruse të Hokejve në Rusi. Mishustin është i martuar dhe ka tre djem.
‘Forbes Rusia’ e renditi atë si zyrtarin e 54-të më të paguar të shtetit në 2015 me të ardhura rreth 3 milionë dollarë.
Përveç ekspertizës së tij në teknologji, biznes dhe operacione qeveritare, Mishustin duket se ka një numër interesash dhe pasione të tjera krijuese. Ai kompozon muzikë dhe luan piano dhe thuhet se është një lojtar i mirë i hokejit.
Ai u votua sot si kryeministër i Rusisë nga deputetët. Në një votim dërrmues të enjten, 383 ligjvënës mbështetën kandidaturën e Mishustin-it, një ditë pasi Presidenti Putin e propozoi atë për rolin pas dorëheqjes së Dmitry Medvedev-it, teksa sugjeroi disa ndryshime madhor në Kushtetutën ruse. /Hashtag.al
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DW