Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë lidhur me vendimin e gjykatës për lirimin nga burgu të Endrit Dokles, i cili ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjatë një konference të përbashkët me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Olivér Várhelyi, Rama sulmoi gjyqtaren Enkeleida Hoxha që dha vendimin për lirimin e Dokles duke thënë se i përket organizatës që ai e quan “KÇK”.
Edhe pse nuk përmend emra, është e qartë për kë e ka fjalën Rama.
“E kam informuar komisionerin se në ditët në vijim do ndërmarrim një nisme të re për të hapur një ofensivë shembullore kundër krimit të organizuar dhe atyre gjykatësve e prokurorëve që si në rastin e para dy ditësh i përkasin organizatës KCK dhe po e përdorin autoritetin e tyre në këtë fazë të ndërmjetme për të bashkëpunuar hapur dhe paturpësisht me krimin”, tha Rama.
Endrit Dokle ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm për një sërë krimesh, përfshirë këtu edhe vrasje por pritet të lirohet nga burgu me kusht.
Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Krujë, Enkeleida Hoxha, vendosi lirimin nga qelia të Dokles, ndërsa prokuroria e Krujës ka ankimuar vendimin duke kërkuar përjashtimin e gjyqtares.