Tërmeti i 26 nëntorit la pas një bilanc tragjik prej 51 viktimash, pjesa dërrmuese e të cilave në Durrës e Thumanë si dhe dëme të shumta materiale, sidomos në Durrës, Thumanë e Tiranë.
Arrestimet dhe ndalimet e deritanishme për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, dëshmojnë për një hetim selektiv deri tani, pasi në pranga janë vënë vetëm zyrtarë të niveleve të ulëta e kryesisht të zonave periferike të Tiranës, siç ishin ish-kryetarët e Komunave të Farkës, Kasharit e Yzberishit.
Shqetësim ky i ngritur dhe nga njëri prej avokatëve që përfaqësojnë të pandehurit, Ramiz Billa: “Duket haptazi! Po të shikosh edhe ish-komunat janë kryesisht djathtas. Ka një lloj selektiviteti.”
Ndërkohë për drejtuesit e niveleve të larta, jo vetëm në Tiranë por në veçanti në Durrës e në Krujë (Thumanë), ku ka qenë edhe numri më i lartë i viktimave, nuk ka patur asnjë arrestim.
Ditën e djeshme, Prokuroria e Tiranës e mohoi që të kishte një lloj selektimi duke u justifikuar se nuk i kishte akoma aktet e ekspertimit të ndërtesave për të arritur në përfundime mbi përgjegjësitë penale.
Elisabeta Imeraj e konsideroi si një sukses ndalimin e 31 personave dhe të procedimit të 11 të tjerëve.
Sipas saj, hetimi deri më tani ka prekur vetëm ish-komunat për faktin se organi akuzës ka marrë në administrim aktet e ekspertimit të banesave të dëmtuara vetëm për këto zona.
Ka një hallkë të gjatë të procesit se si aplikohet deri në nxjerrjen e një leje ndërtimi, por prokuroria duket se ka anashkaluar hallkën kryesore dhe përfundimtare ku ka rol kryetari i bashkisë.
Siç parashikon dhe ligji “PËR PLANIFIKIMIN DHE ZHVILLIMIN E TERRITORIT”, në rastet e lejeve të ndërtimit mban përgjegjësi kryetari i bashkisë.
Deri tani nga organi i akuzës nuk ka ndalime në nivele të larta në Tiranë, Durrës e Krujë.
Teksa kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, del në media, duke bërë edhe premtime se përgjegjësit për dëmet e tërmetit do vihen para drejtësisë, kryebashkiakët e Durrësit e të Krujës (ku ishin edhe dëmet më të mëdha) qëndrojnë larg kamerave.
Ish-kryebashkiakun Vangjush Dako që ka drejtuar Durrësin në 3 mandate s’e kemi parë askund.
Kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi, është vërejtur një herë në ditët e para pas tërmetit, ku me gjysëm zëri tha se ndërtesat e shembura në Thumanë në tërmetin e parë të shtatorit apo të korrikut të 2018-ës, kishin pësuar vetëm plasaritje.
Duke rënë kështu në kundërshtim me deklaratat e zv.kryeministrit Erion Braçe, i cili i doli në krah duke thënë se bashkia i kishte urdhëruar banorët e Thumanës të largoheshin, por ata kishin qëndruar përkundrejt rrezikut./Hashtag.al