Vendosni fjalën kyçe....

A po spekulon Nisma Thurje me firmat e peticionit?


Ditën e sotme, deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ralf Gjoni, depozitoi në Kuvend një projektligj dhe relacionin shoqërues të hartuar nga Nisma Thurje.

Sipas Gjonit, ky projektligj mbështetet nga 50 mijë qytetarë shqiptarë të cilët kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor në Shqipëri në proporcional kombëtar me lista të hapura.

Por sipas avokatit Altin Goxhaj, projektligji i depozituar nga Ralf Gjoni në emër të Nisma Thurje është në fakt një mashtrim.

Po si ka ndodhur kjo?

Goxhaj ka publikuar formularin e Nisma Thurje, që u është dhënë 50 mijë qyterarëve për ta firmosur. Në formular thuhet se ‘populli shqiptar kërkon njëzëri ndryshimin e sistemit zgjedhor aktual, hapjen e një debati publik, të pasuar nga një vendimmarrje në Parlament për vendosjen e një sistemi të ri, ku pavarësisht formulës së përdorur, e drejta për të zgjedhur direkt deputetët i takon popullit.’  

Në asnjë nga 3 pikat që theksohen në formular, nuk përcaktohet sistemi që do çohet për miratim në Parlament dhe asnjë mundësi zgjedhjeje për firmëtarët, ndërkohë që deputeti Ralf Gjoni, ka dorëzuar në Kuvend një projektligj që kërkon ndryshimin e sistemit aktual (Proporcional  Rajonal i Mbyllur) në Proporcional Kombëtar të Hapur.

I kontaktuar në telefon, një nga themeluesit e Nisma Thurje, Pano Soko, tha për Hashtag.al se 50 mijë qytetarët e kanë mandatuar lëvizjen për të hapur një debat për ndryshimin e sistemit aktual.

Ai thekson se pas konsultave në takimet në mbarë Shqipërinë dhe diskutimeve me qytetarët shqiptarë është vendosur për sistemin që i është çuar sot Parlamentit. Soko thotë se të gjithë qytetarëve që kanë hedhur firmën u është bërë e ditur kjo gjë.

  1. Mblodhëm firmat për ndryshimin e sistemit aktual.
  2. Bëmë konsultat publike në gjithë Shqipërinë si online dhe në terren dhe dolëm me një draft që në parim ia con zgjedhjen e deputetit, qytetarit. Drafti, sipas përcaktimit që bën peticioni iu dorëzua parlamentit.
  3. Sipas asaj që përcaktohej në peticion, drafti rrëzon ndryshimet kushtetuese të 2008-ës që e ndan Shqipërinë në rajone.’ – thotë Soko në mënyrë të përmbledhur.

Në fund janë 3 pyetje që kërkojnë përgjigje.

A mund të vendoset shenjë barazimi mes një peticioni me piketa të përcaktuara e të shkruara dhe disa konsultimeve lartë e poshtë?

A i ka tradhëtuar Nisma Thurje nënshkruesit e këtij peticioni?

Pse nuk u vendosën dhe opsionet e sistemeve në peticion, por u lanë për disa konsulta krejt të paqarta? 

/Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *