Gjatë intervistës në Syri.net me gazetarin Çim Peka, kryeministri në detyrë i Kosovës, Haradinaj,tha se ka informacione të tjera lidhur me përfshirjen e Ramës në projektin për ndarjen e Kosovës.
‘Duke patur angazhimin e tij direkt për ndarjen e Kosovës, është i pakuptimtë dhe i padrejtë. Derisa edhe ministri i Jashtëm i iku. Ka qenë aktiv në këtë temë dhe ka qenë veprim shumë i dëmshëm për interesin e Kosovës. Jam i habitur me angazhimin e tij deri në lobingje anembanë botës për të arritur në ndarjen e Kosovës. Do flas hapur, ka edhe më shumë për këtë çështje por kursehem ndaj bashkëkombasve, jo ndaj Ramës.’, shtoi Haradinaj.
Ai tha se u qëndron fjalëve të tij dhe nuk i druhet aspak padisë së kryeministrit Rama ndaj tij, duke thënë se e di kush e ka shtyrë që ta bëjë këtë.
Haradinaj theksoi se nga flirti me Serbinë, Rama dhe Shqipëria nuk përfitojnë asgjë, madje përkqesojnë marrëdhëniet me aleatët tradicionalë të shqiptarëve.
‘Për mua problem ka qenë kur kam pa që kryeministri i Shqipërisë është angazhuar për të ndarë Kosovën. Nuk di ç’ka sheh Rama në Beograd apo te Vuçiçi. Beogradi nuk është boshti i botës. Është njëri nga palët në rajon. Flirti me Serbinë nuk ka as më shumë fuqi, as dobi. Nuk fiton as nga flirtimi me Serbinë. Por që të flirtosh me Vuçiçin është fukarallëk. Serbia flirton me Rusinë dhe Kinën, që e bëjnë minus te aleatët tonë të sigurisë. Nuk fiton me aleatët tonë të sigurisë nëse flirton me Serbinë.’ – shtoi Haradinaj.