Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nuk do të pranojnë të bëhen bashkë me PAN-in për ta shkarkuar Glauk Konjufcën nga pozita e kryetarit të Kuvendit.
Përveç kësaj ajo ka thënë se LDK-ja nuk do të marrë ndonjë inicitaive për ta shkarkuar Konjufcën nga pozita e të parit të Kuvendit.
Këto deklarata Osmani i ka bërë sot për gazetarët nga selia e LDK-së.
Ajo gjithashtu ka potencuar se është optimiste në arritjen e marrëveshjes me Vetëvendosjen për koalicion qeverisës.
Dje Vetëvendosje përmes një zarfi ka refuzuar propozimin e LDK-së që t’ia kthejnë kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e presidentit nga LDK-ja dhe ndarjen e ministrive 5 me 5.
Më pas kreu i LDK-së Isa Mustafa, në një konferencë për media ka deklaruar se këtë letër nuk e konsideron zyrtare.
Dy partitë tashmë i kanë bërë ofertat e fundit njëra-tjetrës, ndërkohë situata është bllokuar dhe nuk ka asnjë deklarim për pranim apo refuzim të ofertave.
Në anën tjetër presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar lëvizje në rast se situata vazhdon të mbetet e bllokuar, derisa nga VV kanë thënë se do ta dërgojnë emrin e mandatarit pa vonesa.