Një person është marrë peng paraditen e sotme në Kamëz. Disa persona pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin, pasi e kanë dhunuar, kanë futur një prej tyre me forcë në makinë.
Ngjarja mësohet të jetë ndodhur në rrugën “London”. Kanë qenë qytetarët që janë bërë dëshmitarë të kësaj skenë, ndërsa pohuan se kanë parë dy persona të maskuar teksa fusnin forcërisht në makinë një burrë që ecte në këmbë.
Pas ngjarjes, autorët janë larguar me makinën, në të cilën ndodhet dhe personi, identiteti i të cilit nuk dihet ende.
Njoftimi i policisë:
Kamëz/Informacion Paraprak
Rreth orës 11:44, në rrugën “London”, Kamëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit midis disa personave ende të paidentifikuar, është marrë jashtë dëshirës në automjet një nga personat e përfshirë në konflikt.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të automjetit i cili është larguar menjëherë nga vendngjarja.
Në vendngjarje shërbimet e Policisë kanë gjetur automjetin e personit që dyshohet se është marrë jashtë dëshirës së tij nga personat me të cilët u konfliktua.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.