Vendosni fjalën kyçe....

9 armë pa leje qëndrojnë prej dy vitesh pa asnjë dokument në Komisariatin e policisë


Një rast i keqfunksionimit dhe papërgjegjshmërisë është regjistruar në komisariatin e policisë në Elbasan, pasi në zyrën e shefit të rendit qëndrojnë prej më shumë se dy vitesh 9 armë pa leje të cilat nuk janë të shoqëruara me asnjë procesverbal apo dokument që të shënojë origjinën e tyre, raporton News 24.

Armët janë pasuar nga një shef komisariati në një tjetër duke mos zgjidhur përgjatë kësaj kohe administrimin e tyre.

Armët ishin automatike, model 56, dhe megjithëse “flinin” në zyrën e shefit të rendit prej kohësh nuk ishin pajisur me dokumentacionin siç e parashikon ligji për sendet e sekuestruara nga policia dhe nuk u ishte bërë ekspertizë për të kuptuar nëse ishin përdorur në ngjarje kriminale apo jo.

Për armët ishin vënë në dijeni edhe drejtuesit e komisariatit, por nuk ishte marrë asnjë masë. Para pak kohësh, shef rendi në Komisariatin e Elbasanit u emërua Faik Ruko, i cili sapo konstatoi mungesën e dokumentacionit për armët, kërkoi sqarime nga shefi paraardhës Abedin Halilaj, i cili po ashtu nuk kishte dokumentacion për rastin.

Për ngjarjen është vënë në dijeni edhe shërbimi për çështjet e brendshme dhe ankesat dhe është çelur një hetim i cili pritet të hedhe dritë mbi ngjarjen.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *