Vendosni fjalën kyçe....

A e zgjidh marrëveshja krizën politike? Kume e Manjani: “Do të arnojë jorganin e vjetër”

Në kulmin e debateve lidhur me Reformën Zgjedhore, dakordësisë mes pozitës dhe opozitës dhe shanseve për një referendum, gazeta Fjala ka realizuar dy intervista me ish-kreun e KQZ-së Kristaq Kume dhe ish-ministrin Manjani. Asnjëri nuk duket shumë i entuziazmuar lidhur me marrëveshjen mes dy palëve.

“A do të sigurojë kjo ulje në tavolinë zgjedhje të lira, sigurisht që JO”

Ndërkohë që Kume e konsideron pa dyshim lajm, por ama shton se është “një ngjarje që nuk duhet përshëndetur” pasi po bëjnë detyrën e vonuar, Manjani shprehet se habitet se si takimi mes palëve u shit si lajm.

Ai ngren shqetësimin se asnjë tekst i shkruar nuk ka dalë publik për të treguar se për çfarë ranë dakord palët.

“Nuk e di a mund të quhet marrëveshje ulja në tavolinë e Damianit, Rudinës, Oerdit dhe Petritit, me thënë të drejtën. Aq më tepër që nuk kam parë ndonjë tekst të shkruar se përse kanë rënë dakord.

Fakt është që 2 muaj më parë, në një tryezë të thirrur nga OSBE-ja, partitë u ulën për të filluar reformën zgjedhore. Reformë i thënçin, por le të themi arnat e radhës në Kodin Zgjedhor. Ndaj, nuk kishte përse të shitej lajm që 4 vetë, pa ndonjë mandat politik të qartë, u takuan te Pallati i Kongreseve, kur në tryezën e reformës opozita kishte kohë që ishte ulur.

Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, a do të sigurojë kjo ulje në tavolinë zgjedhje të lira, sigurisht që JO!

Zgjedhjet të bëhen si gjithmonë me të njëjtin stil e mjedis, ku kush ka pare blen vota, kush mundet, vjedh vota e ku sistemi elektoral është hajduti më i madh i votave të njerëzve.”- tha ish-ministri në intervistën për Fjala.al.

“Deri më 15 mars nuk besoj”

I pyetur për peticionin e “Nismës Thurje” e cila ka mbledhur 50 mijë firma të qytetarëve që kërkojnë ndryshimin e sistemit, Kume nuk mendon se ka gjasa që kjo të ndodhë.

“Deri më 15 mars nuk besoj se do të realizohet diçka e tillë. Është e deklaruar nga ata që janë ulur në tavolinë, si edhe kohë më parë, që kryefjalë e kësaj pune është zbatimi i rekomandimeve dhe realizimi i asaj çka kërkohet midis të tjerave në 9 kushtet e vëna nga Bundestagu, ku reforma zgjedhore konsiderohet si e para. Por, kjo nuk mjafton. Kjo “po” është përgjigje për të thënë se u bë diçka, por bëhet fjalë për ato çka kërkuan ndërkombëtarët dhe jo ato që duhen bërë për shqiptarët. Është ndryshim i madh ky.“- thotë Kume.

Po ashtu ai shton se partitë politike nuk janë për ndryshime sistemi: “Po qe se do t’u referohemi partive politike, jo vetëm dy të mëdhave, por edhe të voglave, nuk janë për ndryshime sistemi, për vetë faktin nga mënyra se si përdoret dhe zbatohet ky sistem në Shqipëri. Ndarja në 12 njësi zgjedhore të Republikës së Shqipërisë ka bërë që votat të mos kenë të njëjtën fuqi në konvertimin e tyre në mandate, si dhe votat që u jepen partive të vogla të shkojnë për llogari dhe në favor të partive të mëdha. Zbatimi i këtij sistemi në lista të mbyllura, në kushtet e Shqipërisë, ku sjellja demokratike është shumë problematike brenda institucioneve, bën që qytetari të mos shprehë realisht se me cilin kërkon të përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo mënyrë e të sjellit të sistemit ka bërë që ne të shmangemi nga parimi kushtetues se populli është sovran dhe sovranitetin e realizon nëpërmjet përfaqësuesit të tij, të cilët i zgjedh në zgjedhje të lira dhe në plotësim të standardeve demokratike. Ndaj, është e domosdoshme që të trajtohet dhe të bëhen ndryshimet e nevojshme në sistem, sikurse: proporcionali kombëtar me lista të hapura, proporcionali rajonal jo me 12 njësi zgjedhore, por me katër të tilla, si dhe proporcionali rajonal me një listë korrektuese kombëtare. Mund të kalohet po ashtu në po atë sistem që kemi pasur në Kushtetutë më përpara, pra 100 mazhoritarë dhe 40 nga listat proporcionale të hapura dhe të pakushtëzuara nga rezultatet e mandateve të marra në mazhoritar.”

Manjani beson se sistemi aktual duhet zhdukur, por nuk beson se ka gjasa për referendum: “Ndërsa se çfarë do të ndodhë me nismën për referendum, s’di t’jua them, por nuk më duket se ka ndonjë shans mbajtja e çdo lloj referendumi në këto kohë, pa Gjykatën Kushtetuese prezente.”

“Do arnojnë një jorgan të grisur”

I pyetur nëse mendon se palët politike do t’i marrin parasysh sugjerimet e ekspertëve të çështjeve zgjedhore të shoqërisë civile Manjani ka këtë qasje: “Partitë do të marrin aq sa u intereson nga ekspertët. Plus që partitë kanë angazhuar burime shumë të mira ekspertize që i kanë të vetat. Thelbi nuk është kjo, por çfarë duan të bëjnë. Mendoj se do arnojnë një jorgan të grisur dhe kaq. Askush nuk ka mendje të qepë një jorgan të ri që të mbulojë të drejtën e zgjedhjes së njerëzve. Do të mjaftohen me arnat që të ruajnë të drejtën e partive…”

” As vetë Rama, nuk e di më do të shkojë apo jo në zgjedhje”

Kristaq Kume nuk beson se ka shumë gjasa në zgjidhjen e krizës pas marrëveshjes mes maxhorancës dhe opozitës, ndërsa thekson domosdoshmërinë e zgjedhjeve të parakohshme.

“Zgjedhjet e parakohshme janë të nevojshme për t’u bërë dhe jo për të bërë rrotacionin politik, por sepse kjo mënyrë qeverisjeje e sotme, e ardhur si e tillë nga zbatimi i legjislacionit problematik, praktikisht na ka bërë që të përballemi me një krizë shumëdimensionale, është politike, sociale, ekonomike. Të bëhen zgjedhjet sa më shpejt të jetë e mundur, për të krijuar në këtë mënyrë kushte për ndryshimin e situatës në të cilën jemi duke u qeverisur, por jo zgjedhje të parakohshme, sepse kërkojmë që të marrë pushtetin njëra apo tjetra palë.”

Për zjedhjet e parakohshme Manjani beson se askush nuk e di nëse do të bëhen apo jo. “As vetë Rama, që i ka në dorë ato zgjedhje, nuk e di më do të shkojë apo jo në zgjedhje.”- thekson ai.

Ish-ministri i Drejtësisë beson se nëse merret ai vendim, do të jetë për rrethana rastësore.

VINI RE: Ky material është pronësi e Fjala.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *