Vendosni fjalën kyçe....

“Dosja 184 të transferohet te SPAK”- PD kërkesë për informacion Prokurorisë së Dibrës


Partia Demokratike i ka kërkuar informacion zyrtar Prokurorisë së Dibrës për dosjen 184 mbi shit-blerjen e votave në Dibër.

Nëpërmjet një letre, PD kërkon që kjo dosje t’i transferohet SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe anti krimit të organizuar  me arsyetimin se atje “është i faktuar bashkëpunimi në një grup të strukturuar kriminal për vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër të kryeministrit Edi Rama dhe bashkëpunëtorëve të tij Damian Gjiknuri, Saimir Tahiri, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Pjerin Ndreu, shefi i komisariatit të Dibrës Robert Aga dhe disa personazhë të tjerë që u emëruan kryebashkiakë si Dionis Imeraj, Valbona Sako apo Agron Malaj”.

Në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi për Prokurorinë e Dibrës thuhet se: “Në Qershor 2019, gazeta prestigjioze gjermane Bild, publikoi përgjime, pjesë të kësaj dosje hetimore, ku provohej qartë, jo vetëm veprimtaria kriminale për vjedhjen e zgjedhjeve vendore në Dibër, por edhe fakti se kjo veprimtari ishte e struktuar, në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, që drejtohej personalisht nga Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë dhe Damian Gjiknuri, deputet i Kuvendit të Shqipërisë”.

PD thotë se ka të drejtë të marrë çdo informacion në lidhje me ecurinë e hetimeve, por thekson se ky informacion mungon.

PD i ka drejtuar 3 kërkesa prokurorisë së Dibrës:

  1. Informacion në lidhje me gjendjen e procedimit penal 184/2016
    2. Informacion nëse Prokuroria e Dibrës ka shpallur apo jo moskopetencën dhe nëse aktet i kanë kaluar SPAK
    3. Njohjen me provat dhe aktet e administruara deri tani.

Shkresa


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *